“Më tregoni se ku po ndodh shtypja e serbëve në veri nga policët tanë! Njerëzit e zakonshëm nuk kanë pse të frikësohen. Ne po e pengojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin, kjo është arsyeja se pse ne kemi dërguar më shumë policë në veri”, deklaroi Albin Kurti në një intervistë për mediumin holandez NRC.

Albin Kurti, 47 vjeçar, Kryeministër i Kosovës, vazhdon të flasë me zë më të lartë dhe më të vrazhdë kur pyetet në lidhje me ankesat e banorëve serbë të Mitrovicës, të cilët së fundmi e kanë bllokuar veriun e Kosovës me barrikada dhe një pjesë e tyre kanë dhënë dorëheqje nga funksionet e tyre publike. Ata ankohen për kërcënime nga policia e Kosovës, shkruan mediumi holandez.

Reklama

Loaded: 100.00%

Remaining Time 0:31
×
Reklama

“Paraardhësit e mi kishin një lloj marrëveshjeje nëpërmjet të cilës mbaheshin strukturat ilegale serbe. Unë nuk marr pjesë në atë. Vendosja e barrikadave të tyre nuk ka ngjashmëri me ‘Lëvizjen studentore të Parisit’, por ato barrikada udhëhiqen nga njerëz që veprojnë në emër të Beogradit, janë të maskuar, të armatosur dhe të gatshëm për luftë. Kriminelët e luftës dhe ata të zakonshëm janë bërë bashkë. Kjo është diçka e rrezikshme”, transmeton Telegrafi.

Kurti është në pushtet për gati dy vjet, si lider i koalicionit të parë në të cilin minoriteti serb nuk ka fuqi si më parë. Edhe pse ai më parë do të fliste për afrimin me Bashkimin Evropian dhe renditjen në listat e lirisë së shtypit dhe anti-korrupsionit, në të cilat Kosova po shënon ngritje gjithnjë e më shumë, vendi i tij është në lajme vetëm për shkak të konfliktit me Serbinë. Një konflikt i hapur, i cili sipas Kurtit nuk është vetëm në mes të vendit të tij të brishtë dhe regjimit në Beograd. “Një slogan të cilin ne e shohim tek serbët shkruan: ‘Lutuni tek Zoti dhe besoni tek Rusia’. Përkrahje aq të madhe për Putinin nuk mund të gjeni askund në Evropë. Kjo është ajo çka ne luftojmë: fashizmi i Moskës dhe i aleatëve të saj”.

Reklama

Djaloshi i plagosur

Rreth 93 për qind e banorëve të Kosovës identifikohen si shqiptarë, 5 për qind të banorëve deklarohen si serbë ortodoksë dhe 2 për qind janë pjesëtarë të pakicave të tjera. Gati gjysma e atij 5 përqindëshi jetojnë në veri, dhe rebelohen ndaj vendimeve të Prishtinës, ndërsa pjesa tjetër që jeton në enklava më të vogla të vendit, janë më të integruar në shoqërinë e Kosovës.

“Ata reagojnë në mënyrë më të qetë dhe më paqësore”, thotë Kurti, i cili duket më i qetë se në fillim të intervistës.

Kur një djalosh 11 vjeçar në pjesën jugore të Kosovës u qëllua nga një ushtar shqiptar jashtë detyrës gjatë Krishtlindjeve Ortodokse, autoritetet kosovare e qetësuan shpejtë situatën e tensionuar duke e arrestuar personin e dyshimtë.

Reklama

Kurti u bë aktiv në politikë si një udhëheqës i studentëve dhe “ishte torturuar për dy vite e gjysmë në burgun e Milosheviqit” në fundin e viteve të 90-ta, prandaj ai nuk kishte rrol në luftën e viteve 1998-1999 në mes të shumicës shqiptare dhe regjimit të Milosheviqit. Përpara se NATO të intervenonte, në betejën mes tyre kishin mbetur të vrarë mbi 9,000 shqiptarë dhe afro 2,000 serbë. Pavarësia e shpallur nga udhëheqësit shqiptarë të Kosovës në vitin 2008 ende nuk është njohur nga Serbia, Rusia dhe Kina, por as nga Spanja, Romania, Greqia, Sllovakia dhe Qipro.

Personat e maskuar

Gjëja që Kurti nuk e dëshiron është “krijimi i një shteti brenda shtetit” me një Asociacion të komunave serbe. Ai bazohet tek Bosnja dhe Hercegovina, ku Republika Srpska ka shumë pushtet dhe bllokon të gjithë vendimmarrjen dhe përparimin në vend. “Unë nuk jam aq i marrë për të bërë diçka të tillë edhe këtu”.

Reklama

Protestat në veri ai i quan si “jo autentike”. “Pjesëmarrësit e këtyre protestave sillen me autobusë nga Serbia në mënyrë që ata të jenë udhëheqës të barrikadave. Ne kemi prova se këta janë persona të maskuar me simbole të grupit paramilitar rus ‘Wagner’, ‘Ujqit e Natës’, kjo një bandë ruse e motoristave besnikë ndaj Putinit, dhe të ashtuquajturës ‘Brigada e Veriut’”. Kurti thotë se nuk mund t’i publikojë provat, për shkak se “pozicioni se nga ku janë marr fotot dhe videot mund të zbulojë burimet tona”. Ai i dërgoi ato në prokurori. “Ne do të duhet të vendosim sundimin e ligjit në veri të Kosovës për të penguar paligjshmërinë që po ndodh atje”.

Përveç kontrabandës dhe krimit, ekonomia e vendit kryesisht goditet nga ajo që askush nga serbët në veri nuk paguan energjinë elektrike. “Ne goditemi financiarisht nga kjo. Ne e licencuam kompaninë e tyre energjetike dhe gjatë qershorit ne e bëmë një marrëveshje për ta zgjedhur këtë problem, por nuk po zbatohet asnjëra pikë e marrëveshjes”.  “Autokratët e shohin bujarinë tonë si dobësi”.

Reklama

Autoriteti i vetëm të cilit i besojnë Kurti dhe serbët e veriut është NATO. “Nuk kam asnjë problem me serbët e asaj pjese, por me fqinjin tonë verior. Përderisa Vuçiq nuk distancohet nga gjenocidi serb mbi popullin shqiptar, ne duhet të presim që ai që vjen pas tij ta bëjë këtë. Nëse NATO nuk do të ishte këtu, serbët do të donin të na masakronin përsëri. Nuk e di nëse janë të aftë ta bëjnë këtë, por e di që ky është qëllimi i tyre”. /Telegrafi/