Ish-këshilltari i Trumpit tregon si dështoi ideja e shkëmbimit të territoreve Kosovës-Serbi
John Bolton i cili shërbeu si këshilltar për Siguri Kombëtare i ish-presidentit amerikan Donald Trump, gjatë një interviste dhënë për Foreign Press Association, ka folur për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai është pyetur në mënyrë direkte nëse ishte ai që propozoi idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ai nuk e kishte propozuar atë, pasi një gjë e tillë tashmë ishte diskutuar, transmeton Telegrafi.
“Në aspektin politik është dëshmuar si diçka e pamundur në fillim në Kosovë dhe më vonë në Serbi”, shtoi diplomati amerikan, transmeton Telegrafi.
Bolton foli për momentin kur Tony Blair kishte kërkuar të takohet me të dhe të diskutojë për këtë ide që tashmë po qarkullonte.
Ish-këshilltari i Trumpit tha se Blairit i ishte përgjigjur njëjtë siç kishte deklaruar ish-Sekretari amerikan i Shtetit, James Baker, kur foli për problemin Izrael-Arabi duke theksuar se “nuk mund ta duam paqen më shumë se vetë palët e përfshira”.
“Pra asnjë zgjedhje nuk do t’ju imponohej palëve, por nëse ata pajtoheshin, do ta mbështesnim, theksoi ai.
“Shumë njerëzve nuk u pëlqen ideja e shkëmbimit të territoreve sepse mund të destabilizojë pjesët tjera të Ballkanit. Pika kyçe që duhet theksuar se ka pasur një lloj dakordance paraprake kur filloi të flitej për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi Bolton.
“Derisa të dyja palët pajtohen dhe nuk ka imponim me forcë, shkëmbimet e territoreve mund të ndodhin çdo herë”, tha ndër tjera ish-këshilltari për Siguri Kombëtare.