Kurti i quan të pavërteta pretendimet e Serbisë për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pretendimet e Serbisë për tërheqje të njohjeve Kosovës nga disa shtete, nuk janë të vërteta.
Në një konferencë për media të mbajtur këtë të premte, ai tha se ndonëse Serbia nuk e njeh Kosovën, kjo e fundit është shtet që po ka sukses gjithandej, raporton Telegrafi.
“Ndonëse Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova po ka sukses gjithandej. Jemi shembull i suksesit. Kosova jo vetëm që është shtet i pavarur, por është edhe aq shumë e pavarur nga mosnjohja e Serbisë. Kjo nuk duhet të harrohet asnjëherë dhe nervoza në Beograd vjen nga kjo lloj pavarësie e dyfishtë e Kosovës”, deklaroi Kurti.
Tutje, kreu i ekzekutivit u shpreh se deri tani, asnjë prej pretendimeve të Beogradit nuk është vërtetuar.
“Mua më duken se janë më shumë përpjekje e Beogradit ku në një situatë ku ata i kanë humbur mbështetjet e demokracive perëndimore, të përpiqen të tregohen të suksesshëm me luftën e tyre, agresivitetin në arenën ndërkombëtare diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës. Deri sot asnjëri prej pretendimeve që e kanë thënë në Beograd, konkretisht presidenti i Serbisë, nuk është vërtetuar nga MPJD-ja jonë”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas tij edhe një vend tjetër, i dhjeti, po pritet të veprojë njëjtë.
“Kemi nëntë (vende) që kanë tërhequr njohjen – Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esëatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Maldivet, Shën Lucia, ne jemi duke pritur për të dhjetin”, citohet të ketë thënë Vuçiq.