Mariçiq: Çdo devijim nga rruga evropiane do të jetë pasiguri dhe krizë politike
Në këtë moment, e ardhmja e shtetit duhet të jetë prioritet për të gjithë ne, gjegjësisht drejtimi në të cilin do ta lëvizim dhe përmbushja e synimeve strategjike të shtetit. Për momentin gëzojmë mbështetje të fortë nga institucionet evropiane, nga shtetet anëtare, nga përfaqësuesit e lartë evropianë dhe këtë duhet ta përdorim me mençuri për përparim në eurointegrimet, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
“Në vitin 2023 na pret një periudhë dinamike dhe intensive në përmbushjen e detyrave dhe detyrimeve që i kemi ndaj BE-së, zbatimin e agjendës së reformave dhe sa më shumë rezultate. Në këtë fazë tjetër të procesit të skriningut, duhet të fokusohemi dhe të flasim për çështjet që na imponohen, të cilat kanë të bëjnë me tregun e brendshëm, sundimin e ligjit, mjedisin, transportin dhe bujqësinë dhe luftën kundër korrupsionit”, thotë Mariçiq në intervistën për “SLoboden Peçat”.
Ai thotë se sipas kalendarit të dakorduar me Komisionin Evropian, nga gjysma e dytë e janarit vazhdojnë takimet bilaterale për klasterin 2 “Tregu i brendshëm” që i ka 9 kapituj, ndërsa deri në fund të vitit 2023 duhet t’i përfundojnë skriningjet bilaterale për të gjithë klasterët e tjerë.
Këtë vit, siç thotë Mariçiq, presim t’i marrim edhe raportet e skriningut për çdo klaster, duke filluar nga klasteri Vlera fundamentale, pasi këto raporte dhe rekomandime të KE-së do të jenë bazë planifikimi të reformave, investime dhe ndërtime të kapaciteteve që të arrihet evropianizimi i shoqërisë së Maqedonisë.
Mariçiq pret që me një konsensus të përbashkët për çështjen e perspektivës evropiane të vendit, të arrijmë ndryshime të suksesshme kushtetuese. Sipas tij, qytetarët e mbështesin anëtarësimin në BE dhe e dinë mirë se vendi duhet të ndjekë rrugën evropiane, e vetmja rrugë në të cilën shoqëria jonë mund të transformohet sipas vlerave dhe standardeve evropiane dhe që sjell stabilitet, prosperitet, mundësi të reja dhe mjete të pakthyeshme nga fondet evropiane.
“Çdo devijim nga rruga evropiane, dhe kjo do të ndodhë nëse opozita nuk i mbështet ndryshimet kushtetuese, do të jetë vetëm pasiguri, krizë politike dhe vënia e Maqedonisë së Veriut sërish në dhomën e pritjes. Bllokada e radhës mund të jetë VMRO-DPMNE”, thotë Mariçiq.
Shton se më nuk kemi bllokada nga jashtë. Përkundrazi, siç vlerëson, kemi mbështetje prej institucioneve evropiane dhe shtetet anëtare dhe duhet me maturi ta shfrytëzojmë këtë moment dhe përparësitë që i ka vendi.
“Kemi pozicione të mira startuese si niveli i lartë i përputhshmërisë me legjislacionin evropian, në disa fusha madje jemi përpara vendeve që kanë negociuar për një dekadë, anëtarësimin në NATO dhe respektimin e plotë të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimi Evropian, i cili është shënuar me notën më të lartë edhe në raportin vjetor të Komisionit Evropian për vitin 2022. Besoj se synimi strategjik i shtetit do të jetë prioritet për të gjithë faktorët politikë dhe do ta sigurojmë atë me zbatimin e suksesshëm të amendamenteve kushtetuese, në mënyrë që të mund të llogarisim anëtarësimin në familjen e madhe evropiane me angazhim maksimal deri në fund të dekadës”, komenton Mariçiq.