Francë, kërkesë që shtetet e BE-së të vendosin masa ndaj udhëtarëve kinezë
Franca u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që të vendosin kushtin e testit negativ për COVID-19 për udhëtarët kinezë.
Parisi veçse ka marrë një vendim të tillë, pasi në Kinë – vendi ku për herë të parë u detektua koronavirusi në fund të vitit 2019 – ka shpërthyer një valë e re infektimesh.
Vetëm Italia dhe Spanja kërkojnë test negativ nga 27 shtetet e bllokut.
Javën e kaluar, zyrtarët shëndetësorë të BE-së dështuan të pajtohen që të marrin një vendim unanim për vendosjen e masës për test negativ për udhëtarët nga Kina.
Por, javën e ardhshme pritet të zhvillohen bisedime të reja për këtë çështje.
Që nga e diela, Franca kërkon nga të gjithë udhëtarët nga Kina që të paraqesin test negativ për COVID-19, të kryer brenda 48 orësh para nisjes nga Kina. Po ashtu, Parisi do të testojë në mënyrë rastësore udhëtarët kinezë.
“Franca do të kërkojë që kjo metodologji të aplikohet në mbarë BE-në”, tha ministri francez i Shëndetësisë, François Braun, që së bashku me ministrin e Transportit, Clement Beaune, shikuan se si kjo masë po aplikohej në aeroportin Charles de Gaulle në Paris.
I pyetur nëse udhëtarët kinezë të infektuar me COVID që udhëtojnë drejt ndonjë shteti tjetër të BE-së, do të mund të udhëtojnë drejt Francës pa kaluar kontrolle, Baune tha: “Prandaj ne duhet të koordinohemi [në mbarë BE-në] që të jemi më efikas”.
Pasi kishte mbajtur të mbyllur kufijtë për pothuajse tre vjet dhe masa të tjera të ashpra, Pekini më 7 dhjetor njoftoi për lehtësimin e masave kundër koronavirusit. Por, Kina që atëherë është përballur me një valë të re infektimesh. /REL