80 izraelitë, përfshirë 64 ushtarë dhe policë, të vra’rë në tetor
Të paktën 80 izraelitë, shumica prej të cilëve ushtarë që marrin pjesë në ofensivat në Libanin jugor ose Gaza, janë vrarë nga Hezbollahu dhe Hamasi këtë muaj, sipas Radios së Ushtrisë Izraelite, transmeton Anadolu.
Në një koment mbi shifrën, Radio e Ushtrisë Izraelite e quajti muajin “tetori i zi”, pasi 64 ushtarë dhe policë, së bashku me 16 civilë, janë vrarë ose në Libanin jugor dhe Gaza ose në sulmet brenda Izraelit nga palestinezët ose sulmet me raketa nga Libani dhe Iraku.
Transmetuesi tha se 33 ushtarë janë vrarë në Libanin jugor, ndërsa 16 në Rripin e Gazës.
Përveç 16 civilëve, ushtarë dhe oficerë të tjerë policie janë vrarë në sulmet brenda Izraelit, duke përfshirë një sulm me dron nga grupi libanez Hezbollah që ka vrarë katër ushtarë në një bazë ushtarake pranë qytetit qendror Binyamina më 13 tetor, ndërsa dy ushtarë janë vrarë në një tjetër sulm nga një grup irakian më 4 tetor.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar për shkak të ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë më shumë se 43.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi të Hamasit vitin e kaluar.
Ndërsa konflikti u përhap në Liban me Izraelin duke nisur sulme vdekjeprurëse në gjithë vendin, gati 2.800 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 12.700 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite që nga viti i kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.
Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se rajoni i Lindjes së Mesme ishte në prag të një lufte rajonale mes sulmeve brutale të Izraelit në Gaza dhe Liban, Tel Avivi e zgjeroi konfliktin duke nisur më 1 tetor një sulm tokësor në Libanin jugor.