Në mesazhin e tij, Rutte theksoi se është jetike që Ukraina të vazhdojë të marrë mbështetjen e domosdoshme ushtarake, financiare dhe humanitare, ndërsa shtoi se presidenti rus Vladimir Putin “duhet të dëshmojë nëse është vërtet serioz për paqen”.

“U mblodhëm këtë mëngjes për të shënuar një tjetër përvjetor tragjik. Katër vite luftë të pamëshirshme. Sot – ashtu si çdo ditë – kujtojmë gjithçka që Ukraina ka përballuar. Por teksa nderojmë të rënët dhe ata që vazhdojnë të vuajnë, ne ruajmë edhe shpresën, të frymëzuar nga katër vite qëndresë të pathyeshme dhe vendosmërie të palëkundur”, u shpreh Rutte.

Ai rikujtoi se vetëm pak javë pas nisjes së pushtimit rus në vitin 2022 kishte folur në parlamentin ukrainas, duke theksuar se kjo luftë ka të bëjë me të drejtën e një populli sovran për të zgjedhur të ardhmen e tij.

 

 

“Atëherë thashë se kjo luftë ka të bëjë me lirinë – tuajën dhe tonën. Kjo mbetet po aq e vërtetë edhe sot”, theksoi ai.

Rutte bëri të ditur se kishte vizituar sërish Ukrainën tre javë më parë, ku kishte parë nga afër pasojat e sulmeve ruse ndaj zonave të banuara dhe infrastrukturës energjetike. Ai tregoi se ishte takuar me banorë të fshatit Yahidne, të mbijetuar të pushtimit rus, si dhe kishte bërë homazhe për të rënët në Maidan.

“Ukraina është një vend heronjsh të heshtur, ku civilët dhe ushtarët njësoj mbajnë mbi supe barrën e kësaj lufte”, deklaroi ai.

Sipas kreut të NATO-s, mbështetja ndërkombëtare duhet të intensifikohet. “Që Ukraina të mbrohet nga sulmet ajrore dhe të mbajë vijën e frontit, kjo ndihmë është thelbësore. Premtimet nuk e ndalin luftën. Ukraina ka nevojë për municion sot dhe çdo ditë, derisa të ndalet gjakderdhja”, u shpreh Rutte.

Ai shtoi se, pavarësisht deklaratave të Kremlinit, Rusia nuk ka arritur objektivat e saj strategjikë në fushëbetejë. Në fund, Rutte theksoi se edhe presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur dëshirën për t’i dhënë fund konfliktit.