4 mijë familje sudaneze në El-Obeid kanë nevojë për ndihmë urgjente

4 mijë familje sudaneze në El-Obeid kanë nevojë për ndihmë urgjente

Ministria e Shëndetësisë e Sudanit ka bërë të ditur se rreth 4 mijë familje të zhvendosura në qytetin sudanez El-Obeid kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, transmeton Anadolu.

Ministria njoftoi se një delegacion i udhëhequr nga ministri i Shëndetësisë, Haitham Mohammed Ibrahim, sot vizitoi një kamp të personave të zhvendosur në El-Obeid në Kordofanin e Veriut, i shoqëruar nga nënsekretari i ministrisë, Ali Babiker dhe zyrtarë të tjerë.

“Rreth 4 mijë familje në kamp kanë nevojë për ndërhyrje urgjente në shëndetësi, arsim, ushqim dhe veshmbathje”, tha Babiker, duke u bërë thirrje organizatave ndërkombëtare “të rrisin përpjekjet e tyre” në zonë.

Babiker tha se Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për të mbështetur banorët e kampit dhe për të ofruar shërbime thelbësore mjekësore për të stabilizuar gjendjen e tyre shëndetësore.

Të mërkurën, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) tha se më shumë se 39 mijë njerëz janë zhvendosur nga lokalitetet Bara, Shikan, Al-Rahad, Umm Rawaba dhe Umm Dham Haj Ahmad në Kordofanin e Veriut që nga 26 tetori, pas marrjes nën kontroll të El-Fasherit, kryeqytetit të Darfurit të Veriut, nga Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

Përveç El-Fasherit, tre shtetet e Kordofanit, ai i veriut, perëndimit dhe jugut, kanë dëshmuar ditë të tëra luftimesh të ashpra midis forcave të ushtrisë sudaneze dhe RSF-së.

Konflikti në Sudan midis ushtrisë dhe RSF-së, që filloi në prill të vitit 2023, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka vrarë të paktën 40 mijë njerëz dhe ka zhvendosur rreth 12 milionë të tjerë.

Muajin e kaluar, RSF-ja pushtoi El-Fasherin dhe u akuzua për masakra. Grupi kontrollon pesë shtete nga gjithsej 18 të Sudanit, ndërsa ushtria kontrollon shumicën e 13 shteteve të mbetura, përfshirë kryeqytetin Khartoum.

Darfuri përbën rreth një të pestën e territorit të Sudanit, por shumica e 50 milionë banorëve të vendit jetojnë në zona të kontrolluara nga ushtria.

MARKETING