24 palestinezë të plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në një sulm në Bregun Perëndimor

24 palestinezë të plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në një sulm në Bregun Perëndimor

Të paktën 24 palestinezë u plagosën nga zjarri i ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze tha se ekipet e saj trajtuan 24 të plagosurit pas një sulmi izraelit në kampin e refugjatëve Qalandiya dhe qytetin Kafr Aqab, në veri të Kudsit Lindor.

Raportohet se të plagosurit përfshinin tre persona të goditur nga plumbat e gjallë, përfshirë një djalë 15-vjeçar i cili u plagos në kofshë.

Sipas Guvernatoratit të Kudsit, forcat izraelite bastisën kampin Qalandiya dhe qytetin Kafr Aqab herët në mëngjes, duke përdorur ekskavatorë ushtarakë dhe duke vendosur dhjetëra ushtarë përgjatë rrugës kryesore dhe brenda lagjeve.

Nga atje theksuan se bastisja u shoqërua me përdorim të gjerë të granatave shurdhuese dhe gazit lotsjellës, duke shkaktuar panik dhe tension të madh mes banorëve.

Gjithashtu u theksua se ushtria detyroi banorët e të paktën katër shtëpive të evakuonin ato dhe i shndërroi shtëpitë në pika ushtarake.

Sipas shifrave palestineze, forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë vrarë të paktën 1.102 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, kanë plagosur rreth 11 mijë dhe kanë arrestuar rreth 21 mijë që nga tetori i vitit 2023.

Në një opinion historik në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli pushtimin izraelit të territorit palestinez si të paligjshëm dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

MARKETING