15 vende dënojnë “me termat më të fortë” miratimin e projektligjeve mbi Bregun Perëndimor nga Izraeli

15 vende dënojnë “me termat më të fortë” miratimin e projektligjeve mbi Bregun Perëndimor nga Izraeli

15 vende, përfshirë Turqinë, së bashku me Ligën Arabe dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC), kanë dënuar “me termat më të fortë” miratimin e projektligjeve që imponojnë të ashtuquajturin “sovranitet izraelit” mbi Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu.

Një deklaratë e përbashkët me shkrim u publikua nga Turqia, Arabia Saudite, Jordania, Indonezia, Pakistani, Xhibuti, Omani, Gambia, Palestina, Katari, Kuvajti, Libia, Malajzia, Egjipti, Nigeria, Liga Arabe dhe OIC-i, në lidhje me miratimin e Izraelit të dy projektligjeve që imponojnë të ashtuquajturin “sovranitet” mbi Bregun Perëndimor të pushtuar dhe vendbanimet e tij të paligjshme koloniale.

“Miratimi nga parlamenti izraelit i dy projektligjeve që synojnë vendosjen e të ashtuquajturit ‘sovranitet’ mbi Bregun Perëndimor të pushtuar dhe vendbanimet koloniale të paligjshme të Izraelit dënohet fuqishëm si një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht Rezolutës 2334 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila dënon të gjitha masat izraelite që ndryshojnë strukturën demografike, karakterin dhe statusin e territoreve të pushtuara palestineze, përfshirë Kudin Lindor, që nga viti 1967”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Më tej, thuhet se ky hap i parlamentit izraelit gjithashtu “shkel mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili konfirmon paligjshmërinë e pushtimit të Izraelit dhe pavlefshmërinë e masave të ndërtimit të vendbanimeve dhe aneksimit në Bregun Perëndimor”.

“Palët riafirmojnë edhe një herë se Izraeli nuk ka sovranitet mbi territoret e pushtuara palestineze”, theksohet në deklaratë.

Deklarata e përbashkët përshëndeti mendimin këshillues të lëshuar së fundmi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi pasojat ligjore të ndërtimit të një muri në Territorin e Pushtuar Palestinez dhe detyrimet e Izraelit që lidhen me të.

“Me këtë mendim këshillues, Gjykata riafirmoi detyrimin e Izraelit sipas ligjit ndërkombëtar humanitar për të garantuar sigurimin e nevojave themelore për njerëzit që jetojnë në territoret e pushtuara palestineze, përfshirë Gazën, si dhe për të lehtësuar përpjekjet e ndihmës humanitare, veçanërisht ato të udhëhequra nga Agjencia e Ndihmës dhe Punës së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) dhe organe të tjera të OKB-së”, thuhet më tej.

Deklarata theksoi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i kujtoi Izraelit detyrimin e tij për të respektuar ndalimin e përdorimit të urisë si metodë lufte, duke marrë parasysh kufizimet e Izraelit për ndihmën ndaj Gazës.

Gjithashtu, ajo përsëriti riafirmimin e gjykatës për ndalimin e zhvendosjes dhe deportimit me forcë, duke përfshirë vendosjen e kushteve të papërshtatshme për jetesë.

Gjykata riafirmoi të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje dhe krijimin e një shteti të pavarur, duke kujtuar se pretendimet territoriale të Izraelit mbi Kudsin Lindor janë shpallur “të pavlefshme” nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Deklarata gjithashtu theksoi draftin izraelit “Ligji për ndërprerjen e aktiviteteve të UNRWA-së në Tokat Shtetërore Izraelite”, i cili synon të përfshijë Kudsin Lindor.

Ajo paralajmëroi kundër vazhdimit të politikave dhe praktikave të njëanshme dhe të paligjshme nga Izraeli dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë përgjegjësitë ligjore dhe morale të tij për ta detyruar Izraelin të ndalojë përshkallëzimin e tij të rrezikshëm dhe veprimet e paligjshme në territoret e pushtuara palestineze.

Në fund, deklarata e përbashkët theksoi se mbështetja e së drejtës legjitime të popullit palestinez për të krijuar një shtet të pavarur dhe sovran bazuar në kufijtë e 4 qershorit të vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet, është e vetmja mënyrë për të arritur një paqe të drejtë dhe gjithëpërfshirëse në rajon, si dhe për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin.

MARKETING