15 dronë shihen mbi terrenin ushtarak belg pranë kufirit gjerman

15 dronë shihen mbi terrenin ushtarak belg pranë kufirit gjerman

Zyrtarët e mbrojtjes së Belgjikës kanë nisur një hetim pasi mbrëmë vonë 15 dronë u vunë re duke fluturuar mbi bazën ushtarake Elsenborn të vendit në Kantonet Lindore, afër kufirit gjerman, transmeton Anadolu.

Sipas transmetuesit belg “VRT NWS”, zyra e ministrit të Mbrojtjes, Theo Francken, konfirmoi se Ministria e Mbrojtjes ka nisur një hetim.

Eksperti i mbrojtjes, Jens Franssen tha se dronët u zbuluan fillimisht rreth orës 1:45 të mëngjesit nga policia lokale në qytetin gjerman Duren.

“Ato erdhën nga baza jonë ushtarake Elsenborn dhe hynë në hapësirën ajrore gjermane. Gjermania e raportoi këtë në Ministrinë e Mbrojtjes mbrëmë, më thonë burimet, por ky informacion me sa duket nuk iu kalua Ministrisë së Mbrojtjes”, u citua Franssen nga transmetuesi.

Ai shtoi se një avion belg testimi i vendosur në zonë për të monitoruar aktivitetin e dronëve gjithashtu i vëzhgoi dronët.

Burimi dhe operatorët e dronëve mbeten të panjohur. Franssen e përshkroi rastin si “një incident shumë të çuditshëm”, duke theksuar se ka pak rëndësi strategjike në Elsenborn krahasuar me bazën ajrore Kleine-Brogel, e cila strehon armë bërthamore amerikane.

“Për aq kohë sa origjina ose kush i kontrollonte dronët është e paqartë, është e vështirë të vlerësohet se çfarë fshihet pas kësaj. Sigurisht, kjo tregon nevojën për sisteme të mira që mund të zbulojnë, gjurmojnë dhe identifikojnë këto lloj dronësh të vegjël”, tha ai.

Ministria e Mbrojtjes e Belgjikës akoma nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

MARKETING