` . Ndërkombëtarët - TV-SHENJA

Ndërkombëtarët

EDITORIAL

Shkruan: Latif Mustafa

Ndërkombëtarët, në kuptimin klasik, nënkuptojnë shënjimin, simbolin dhe etimologjinë e fuqisë, legjitimitetit epistemik dhe estetik tek shqiptarët. Ndërkombëtarët, një kohë, ishin vëzhguesit e thjeshtë të situatës politike dhe raportues në shtetet e veta, kurse sot ata projektohen si lojtarët më të fuqishëm politikë në lëvizjen e gurëve të realitetit tonë të brishtë. Burimi dhe historiciteti i fuqisë së tyre buron nga e kaluara dhe praktika koloniale ku ata mbartnin misionin e njeriut të bardhë në qytetërimin e popujve “të pazhvilluar”, kjo një praktikë thellësisht e rrënjosur në misionarizmin e krishterë mesjetar si udhëzim i “të paudhëve” dhe në modernitet e përkthyer si përpjekje për çlirim dhe emancipim politik. Në këtë sens, ajo ndërlidhet fuqishëm me nënvetëdijen kolektive koloniale dhe perceptimin e Orientit, pjesë e të cilit ka qenë edhe Ballkani.
Normalisht, sot termi “ndërkombëtarët” ka konotacion më të fragmentarizuar e të multipolarizuar, paçka se shqiptarët akoma i perceptojnë ata brenda një shablloni bipolar, të tejkaluar dhe arkaik, gjegjësisht ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, të ndarë kështu, qoftë sipas shtrirjes në hemisferën gjeografike, qoftë në atë kulturore. Por, në një shoqëri ku mainstream-i kulturor imponohet si projekt i destinuar politik, me ç’rast çdo përzgjedhje tjetër konsiderohet një lloj tradhtie politike ndaj emancipimit të kombit dhe rrugëtimit të tij në trajektoren e të fortëve, atëherë neve “të shkretëve” nuk na mbetet tjetër, pos ta ndjekim verbërisht ata që na e imponojnë ndërkombëtarët, si shijen, dijen dhe fuqinë më të lartë.
Por kush janë në të vërtetë ndërkombëtarët? Në opinionin publik i dallojmë, pak a shumë, tri tipologji ndërkombëtarësh.
Tipologjia e parë e nocionit “ndërkombëtarët” ka të bëjë me termin i cili shënjon kolektivin diplomatik të shteteve të fuqishme perëndimore, të cilat janë gardiani i kahëzimit të shteteve drejt qytetërimit perëndimor dhe vlerave të demokracisë liberale, shtete këto që kanë qenë të lidhura qoftë politikisht, ideologjikisht apo edhe kulturalisht me shtetet socialiste të bllokut lindor. Operimi i tyre, zakonisht, implementohet në tri dimensione: në atë të diplomacisë aktive përmes ambasadave, përmes diplomacisë kulturore dhe shoqërisë civile dhe përmes shërbimeve inteligjente dhe atyre sekrete.
Tipologjia e dytë e nocionit “ndërkombëtarët” ka të bëjë me sinonimin e shkeljes së vullnetit politik të popujve për vetëvendosje. Ndërkombëtarët, shpesh, janë paradoksi dhe përplasja e vlerave të tyre burokratike politike dhe vlerave qytetërimore që ata përfaqësojnë. Në emër të stabilitetit politik apo stabilokracisë ata i neglizhojnë parimet fundamentale të qeniesimit politik, fondamente dhe universale këto të vendosura nga filozofët dhe mendimtarët e tyre. Në rastin më konkret burokratët e kontinentit i “tradhtojnë” parimet dhe vlerat e filozofëve të Perëndimit. Kjo situatë krijon një gjendje skepticizmi për vlerat perëndimore, për moralin politik dhe për motivet e diplomatëve të plotëfuqishëm perëndimorë.
Tipologjia e tretë, e cila ndërlidhet me të dytën, është mbështetja ndërkombëtare për shtresat e korruptuara politike dhe kulturore politike. Shtresat politike e mbulojnë kriminalitetin vetëm në saje, gjoja, të legjitimitetit ndërkombëtar dhe mbështetjes që ata kanë nga diplomatët e huaj dhe nga një shtrese tjetër civile kulturore, e cila e shet kiçin për kulturë dhe provincializmin për qytetërim në saje të kësaj mburoje ndërkombëtare dhe në saje të fondeve që ata i gëzojnë nga këto struktura.
Ndërkombëtarët duhet ndryshuar imazhin. Përpos simbolikës së fuqisë, ata duhet mbartur imazhin edhe të inkluzivitetit të aktorëve politikë dhe të empatisë me traditat lokale dhe respektimin e parimeve universale politike. Orvatjet për qytetërime alternative janë vetëm rezultat i zhgënjimit të masave ndaj ndërkombëtarëve, që sillen si policë të nomenklaturës së vet politike dhe interesave të veta personale meskine, e jo si udhërrëfyes drejt çlirimit dhe emancipimit politik e qytetërimor. Përzgjedhja e aktorëve të rinj politikë, aktorëve të cilët mbështeten nga vullnetet e lira popullore, është pika kruciale e ndryshimit dinamik të realitetit të brishtë ballkanik. Në të kundërtën, nëse ndërkombëtarët vazhdojnë t’i përkëdhelin politikanët kriminelë dhe zhvatësit e popujve të tyre, ata rrezikojnë të krijojnë klimë antikoloniale. Duke u shprehur në termat e Franc Fanonit, mund të themi: mos ua mbuloni fytyrat e zeza përmes maskave të bardha, sepse pastaj do i ngatërrojmë se kush është faqeziu e kush faqebardhi!