` . Zyrtarizohet shkarkimi i Bernard Challandes nga Kosova - TV SHENJA

Zyrtarizohet shkarkimi i Bernard Challandes nga Kosova

Bernard Challandes nuk është më trajner i Kosovës. Tekniku 70-vjeçar zviceran është shkarkuar nga stoli i “dardanëve”, pasi situata është rënduar ndjeshëm, sidomos pas humbjes ndaj Gjeorgjisë mbrëmjen e djeshme.

Dështimi në Play Off-in e Europianit dhe më pas një edicion zhgënjyes eliminator në Kupën e Botës, ku momentalisht Kosova pozicionohet e fundit në grup, kanë thyer ndjeshëm raportet mes dardanëve dhe teknikut zviceran.

Prej kohës konferencat për shtyp të Challandes janë një debat i hapur me gazetarët, qoftë për listën e të grumbulluarve, qoftë për paraqitjen e dardanëve, ndërsa kulmi arriti një ditë para ndeshjes me Gjeorgjinë, ku edhe u largua nga salla e konferencës.

Trajneri zviceran u ul në pankinën e Kosovës më 2 mars të 2018-ës dhe më pas udhëhoqi skuadrën drejt një paraqitjeje të shkëlqyer në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, ku shkuan deri në play off-in e Europianit, por u eliminuan nga Maqedonia e Veriut.

Challandes e ka drejtuar përfaqësuesen e Kosovës për plot 40 ndeshje dhe ka regjistruar 18 fitore, 8 barazime e 14 humbje.