Zyrtarët turq dhe amerikanë takohen për hetimin për FETO-n

Zyrtarët turq dhe amerikanë takohen për hetimin për FETO-n

Një sërë detajesh rreth të ashtuquajturve anëtarë të lartë të organizatës terroriste FETO, grupit pas tentativës për grusht shteti të vitit 2016 në Turqi, u ndanë në një takim midis zyrtarëve turq dhe një delegacioni amerikan, njoftuan burimet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dita e dytë e takimit midis zyrtarëve u mbajt në Departamentin e Antiterrorizmit pranë Drejtorisë së Përgjithshme Policore në Ankara, thanë burimet, pasi takimi i parë 11-orësh u zhvillua të enjten në Pallatin e Drejtësisë në kryeqytetin turk.

Në bisedime morën pjesë zyrtarë të lartë të Departamentit Kundër Kontrabandës dhe Krimit të Organizuar të Turqisë, zyra të inteligjencës, krerët e zyrës së Interpolit dhe Çështjeve të Jashtme, si dhe Bordi për Hetimin e Krimeve Financiare (MASAK).

Në takim u ndanë të dhëna se të ashtuquajturit “imamë civilë” të organizatës terroriste FETO, Kemal Batmaz dhe Hakan Çiçek, kanë qenë në bazën Akıncı gjatë natës së 15 korrikut të vitit 2016, si dhe detaje të thirrjeve të tyre telefonike.

Të dhëna mbi aktivitetet financiare të grupit terrorist u ndanë gjithashtu nga një zyrtar i MASAK.

Më herët, u mësua se linja GSM në telefonin celular të Çiçek është aktivizuar për herë të parë më 7 mars të vitit 2016 dhe vendndodhja e ruajtur në telefon i përkiste shtëpisë së Fetullah Gülenit në Pensilvani të SHBA-së.

Çiçek ka biseduar me Abdullah Bayram, i cili jeton në Pensilvani, përmes FaceTime për gati katër minuta gjatë përpjekjes së dështuar për grusht shteti.

Bisedimet e së enjtes dhe ato të sotme janë konsideruar si të rëndësishme për të ekspozuar rolin e udhëheqësit të FETO-së në SHBA, Fetullah Gülen, dhe rretheve të tij të brendshme.

Prokurorët e Ankarasë më herët kanë konfirmuar se të ashtuquajturit “imamë civilë” Batmaz, Adil Öksüz, Hakan Çicek, Harun Biniş dhe Nurettin Oruç kanë qenë në SHBA në janar, mars dhe qershor të vitit 2016, para përpjekjes për grusht shteti.

Emrat e mësipërm dihet të kenë mbajtur bisedime paraprake me Gülenin lidhur me puçin e dështuar.

FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Gülen, orkestruan tentativën për grusht shteti në korrik të vitit 2016, nga e cila 251 persona ranë dëshmorë dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.

Ankaraja gjithashtu akuzon FETO-n për zhvillimin e një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht ushtri, polici dhe gjyqësor.

Turqia ka kërkuar ekstradimin e Gülenit dhe ka shprehur zhgënjim për vonesën nga ana e palës amerikane.

Udhëheqësit turq javët e fundit kanë thënë se SHBA është duke treguar më shumë interes në një ekstradim të mundshëm të Gülenit dhe masa kundër anëtarëve të FETO-s në SHBA.