Zyrtarët: Provat flasin për mbi 30 mijë krime lufte në Kharkiv

Zyrtarët: Provat flasin për mbi 30 mijë krime lufte në Kharkiv

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy thotë se janë zbuluar qindra trupa në një varr masiv pranë qytetit Izium në pjesën lindore të Ukrainës. Një ekip gazetarësh nga rrjeti televiziv amerikan ABC News ishte në pyllin ku janë zbuluar qindra të varrosur pas tërheqjes së trupave ruse nga rajoni i Kharkiv-it

Zyrtarët në Kharkiv thonë se kanë regjistruar prova për mbi 30 mijë krime lufte. Varri masiv në këtë pyll është dëshmi e frikshme e mizorive ruse në lindje dhe veri të Ukrainës.

Qindra kryqe druri pushtojnë pyllin pranë qytetit Izium të çliruar kohët e fundit nga focat ukrainase.

Ekipet mjekoligjore po punojnë në një pjesë të vogël të pyllit. Shumica e kryqeve të drurit kanë vetëm numra. Zyrtarët thonë se në trupat e disa prej viktimave shihen qartë shenjat e torturave.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës tha një natë më parë se janë regjistruar më shumë se 34 mijë krime lufte gjatë agresionit gjashtë mujor rus.

Presidenti Zelenskyy tha se në zonat e Kharkivit, që kontrolloheshin më parë nga rusët, torturat ishin një dukuri e përhapur. Ai tha se janë gjetur shumë dhoma torturash në zonën e porsaçliruar.

Banorët thonë se familje të tëra janë shuar nga raketat ruse në ditës që pasuan fillimin e agresionit të Kremlinit. Serhiy Shtanko ka humbur mbi 40 pjesëtarë të familjes, fqinj, miq dhe të afërm.

“Nuk kam më asnjë ndjenjë. Që nga fillimi i sulmeve ruse kemi parë trupa kudo”.

Presidenti ukrainas tha mbrëmë se janë zbuluar dhjetë dhoma torturash në zonën e Kharkivit që është çliruar kohët e fundit.