Zyrtare: Benzema humb Kupën e Botës, Franca konfirmon lëndimin e sulmuesit

Zyrtare: Benzema humb Kupën e Botës, Franca konfirmon lëndimin e sulmuesit

Lajm i keq për Francën një ditë para nisjes së Botërorit. Karim Benzema braktisi stërvitjen e “bluve” në stadiumin Jassim bin Hammad dhe duket se ka humbur jo vetëm ndeshjen e parë përballë Australisë, që do të zhvillohet të martën e ardhshme, por të gjithë Botërorin.

Sulmuesi i ishte bashkuar grupit sot (të shtunën), së bashku me Varane, për herë të parë që nga fillimi i grumbullimit. Gjatë 15 minutave të hapura për mediet, ai u stërvit normalisht, por në gjysmë të seancës me dyer të mbyllura iu desh të largohej. Sipas “L’Equipe, testet mjekësore tregojnë për çarje të muskujve në kuadricepsin e majtë.
Edhe Federata Franceze hesht për momentin për gjendjen fizike të Benzemasë, por mediet kryesore kanë raportuar se ai e ka humbur Boterorin. Sulmuesi po ndiqte një plan për një rikthim gradual në dinamikën e grupit dhe ndjesitë ishin ende të mira. Në seancën e djeshme stërvitore me dyer të mbyllura, tashmë lojtari hodhi një tjetër hap, ndonëse ishte ende jashtë grupit, me ushtrime force dhe goditje në portë.

Si lojtari ashtu edhe mjekët francezë kanë qenë optimistë gjatë gjithë kësaj kohe për rikthimin e sulmuesit për ndeshjen debutuese të datës 22, kundër Australisë, por ajo që ndodhi në gjysmën e seancës së kësaj të shtunë nuk tregon për një perspektivë të mirë të gjendjes së tij fizike.