` . Zyrtare, Bayerni “blindon” për 5 vjet Leon Goretzkan - TV SHENJA

Zyrtare, Bayerni “blindon” për 5 vjet Leon Goretzkan

Bayerni i Mynihut ka zyrtarizuar këtë të enjte marrëveshjen e re me mesfushorin Leon Goretzka, e vlefshme deri në vitin 2026. Kontrata aktuale e futbollistit të kombëtares gjermane me kampionët në fuqi të Bundesligës skadonte në përfundim të sezonit.

“Me Bayernin kemi fituar gjithçka që mund të fitohej në tri vitet e fundit. Por është edhe më bukur, sesa të fitosh një titull, t’i përsëritësh këto suksese,” i deklaroi Goretzka për faqen zyrtare të Bayernit.

Drejtori sportiv i klubit bavarez, Hasan Salihamidzic tha: “Jemi shumë të lumtur që Leon Goretzka ka zgjatur kontratën e tij para kohe deri në vitin 2026. Leon aktivizohet rregullisht te Bayerni dhe është shndërruar në fytyrën e këtij ekipi. Jam shumë i lumtur që do të vazhdojmë të punojmë së bashku për pesë vitet e ardhshme, Leoni është një burim energjie brenda dhe jashtë fushës. Ai ka teknikë dhe dinamizëm, është një mesfushor veçanërisht i rrezikshëm dhe mund të vendosë ndeshjet”.

Aktualisht janë vetëm dy lojtarë të Bayernit, Niklas Süle dhe Corentin Tolisso janë në skadencë kontrate (qershor 2022). Në verën e vitit 2023, përfundojnë kontratat e kapitenit Manuel Neuer, Robert Lewandowskit, Thomas Müllerit, Serge Gnabry-t dhe Kingsley Comanit.