` . Zyrtare: Angelçe Timovski nënshkruan me Shkëndijën - TV SHENJA

Zyrtare: Angelçe Timovski nënshkruan me Shkëndijën

Mbrojtësi i djathtë Angelçe Timovski zyrtarisht është futbollisti më i ri i Shkëndijës. 26 vjeçari ka firmosur kontratë dy vjeçare, duke u lidhur me kuqezinjtë deri në verën e vitit 2023. “Ky transferim për mua paraqet hap shumë të rëndësishëm në karrierë. Oferta nga ekipi më i mirë në vend më ka joshur dhe e them sinqerisht se ka mbisunduar dëshirën time për të luajtur jashta vendit. Shkëndija si kampione në fuqi ka ekip shumë të mirë dhe unë uroj që me prezencën time të ndihmoj skuadrën për të ngritur cilësinë”,  ka deklaruar Timovski për kanalin zyrtar të Shkëndijës. Timovski vjen te Shkëndija nga tabori i Sileksit me të cilët fitoi Kupën e vendit, ndërsa edhe vitin e kaluar si kapiten udhëhoqi skuadrën në paraqitjet evropiane. Ndryshe Timovski është paraqitur 8 sezone me Sileksin, ndërsa një kampanjë ishte pjesë e Pobedës së Prilepit.