Zyrat doganore, “hap i parë” drejt bashkimit të plotë doganor Kosovë-Shqipëri

Zyrat doganore, “hap i parë” drejt bashkimit të plotë doganor Kosovë-Shqipëri

Është çelur në Portin e Durrësit Zyra doganore e Kosovës, ndërkohë që një zyrë e tillë është hapur edhe në Porto-Romano që do të shërbejë për karburante, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në ceremoninë e çeljes së pikës doganore që organizohej nga Qeveria e Kosovës kanë marrë pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zv.kryeministri i Kosovës, njëherësh koordinator kombëtar i dy qeverive, Fatmir Limaj, ministri i Financave i Kosovës, Bedri Hamza, ministri i Financave në detyrë i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, drejtoresha e Doganave të Shqipërisë, Belinda Ikonomi, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, dhe ai i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini.

Kryeministri Rama e ka cilësuar Doganën e Kosovës në Durrës si hapin e parë të rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërkaq ka thënë se në pranverë kufiri Shqipëri-Kosovë do të jetë një kufi “totalisht fluid”, njësoj si kufiri mes Francës dhe Gjermanisë, apo mes Italisë dhe Zvicrës.