` . Zgjidhjet “e mira” nuk janë përherë ideale - TV SHENJA

Zgjidhjet “e mira” nuk janë përherë ideale

Modeli i shoqërive multietnike, gjithsesi, mbetet alternativa më realiste. Ndoshta kërkon më shumë harmonizim kushtetues sipas realitetit, ndoshta kërkon më shumë mjete buxhetore, sepse edhe realizimi i disa të drejtave (siç është përdorimi i gjuhëve) është i shtrenjtë, por është i drejtë dhe është një kompensim për mosrealizimin e synimeve të disa popujve që të jetojnë në shtetin e tyre.

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Në valën e konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni u paraqit një non-paper, për të cilin mediat ngritën shumë pluhur. Si është e mundur që ai dokument “inekzistent”, i cili  mori emrin e ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, “non-paper-i i Sërgjan Kerimit”, të ishte një përgjigje politike ndaj “agresionit terrorist”, në një atmosferë kur zyrtarisht politika maqedonase nuk donte të dëgjonte për çfarëdo negocimi me “terroristët”, gjë kjo e cila ushqehej edhe nga media. Ajo atmosferë e përgjithshme, në ato disa muaj, ishte që me terroristët duhet të lahen hesapet me forcë, e assesi që kërkesat e tyre të shqyrtohen në tavolinë. Përpjekjet me ngulm të forcave ushtarake-policore për ta bërë këtë u treguan të pamjaftueshme dhe përkrahja deklarative edhe e përfaqësuesve të BE-së, NATO-s, SHBA-së, ishte vetëm një ngushëllim i vogël për qeverisjen e atëhershme, sepse gjërat do të shkojnë pikërisht në drejtim të zgjidhjes politike, e jo ushtarake.

Kësisoj, disa muaj më vonë, pikërisht fryma e non-paper-it fantom do të jetë bazë për një marrëveshje politike, e njohur tashmë botërisht “Marrëveshja Kornizë e Ohrit”, ose nëse nuk ishte baza, ajo përbënte një përgjigje informale të qeverisjes së vendit se si e sheh zgjidhjen. Prej një “inekzistence”, fryma e këtij dokumenti arriti në një finale, kuptohet, e përpunuar “rrugës” në bazë të kërkesave dhe qëndrimeve që kishin palët e interesuara.  Ajo që prej tij fitoi “pala maqedonase” është se vërtet shteti nuk u ul në tavolinë me përfaqësuesit e UÇK-së “terroriste” dhe në vend të tyre negocioi me dy partitë përfaqësuese në parlament, PPDSH dhe PPD, por nëse kihet parasysh se liderët e tyre kishin nënshkruar një marrëveshje me përfaqësuesin politik të UÇK-së, Ali Ahmetin (Deklarata e Prizrenit), edhe pse bashkësia ndërkombëtare e detyroi Arbër Xhaferin dhe Imer Imerin që t’i ngrijnë nënshkrimet e tyre, Marrëveshja Kornizë nuk do të nënshkruhej pa “aminin” e UÇK-së dhe të Ali Ahmetit. Në një farë mënyre, pa qenë në tavolinë, UÇK-ja ishte faktori (ushtarak) që shtyu subjektet politike të asaj kohe konfliktit t’i japin përfundim politik.

Historia e këtij dokumenti flet për atë që shumëkush ua ka frikën të tillëve, sepse, nëse ndonjë palë mund t’i përgjigjet përmbajtja e tij, për tjetrën mund të jetë e kundërta ose edhe më e keqja: nëse mund t’u përgjigjet dy palëve (ta zëmë Serbisë e Kosovës tash), më problematikja është se ai krijon një princip ose precedent, i cili mund të ketë efekte të kobshme zinxhirore. Mu kjo është arsyeja pse sot disa shtete europiane nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, duke iu frikësuar efektit që mund të ketë në planin e tyre të brendshëm, për shkak të ekzistimit të shembullit të njëjtë.

Kuptohet, në shembullin e Maqedonisë mund të konsiderohet një menaxhim i urtë i krizës së sigurisë 2001(shpesh i iket termit “konflikt”) ku politika në fund të fundit pengoi përshkallëzimin e situatës drejt shembujve më tragjikë të vendeve të tjera të dala nga ish-Jugosllavia. Ajo u përmbyll me nja 150 viktima në të gjitha palët, me pak masakra civile (Luboteni, dhjetëra të zhdukur…) dhe pa i prishur tërësisht raportet ndëretnike (gjithë kohën e konfliktit kishte një qeveri etnikisht të përzier, një pjesë e së cilës ishte më afër UÇK-së!), dhe, si rezultat i pajtimit, kemi ish-UÇK-në sot në sistem.

 

“Modeli maqedonas” që evitoi ndarjen      

 

Një politikan i regjur dhe i respektuar si nga ithtarët e tij, ashtu dhe nga oponentët, Arbër Xhaferi, një nga protagonistët në realizimin e projektit politik multietnik Marrëveshja e Ohrit, në çastet kur dilte nga lëkura e politikanit që bën kompromise të caktuara, shkruante pikërisht kundër modelit në të cilin kishte vënë nënshkrim. Ai, mbase, nuk besonte se mund të jetë funksional një shtet multietnik si Maqedonia, ndaj ishte më afër idesë së Lubço Georgievskit për “zgjidhje etnike”, që do të thotë, për ndarje. Ndoshta për një gjë të tillë kishte nisur lufta e UÇK-së, por që ndërkohë, duke parë konfiguracionet gjeostrategjike, ishte transformuar në ide tjetër, më realiste, për transformimin e Maqedonisë në një vend për të gjithë.

Pikërisht në një episod 6-mujor, sa zgjati konflikti në Maqedoni, në tavolinë kishin qenë të gjitha opsionet. Me atë që duhet thënë se nëse në fillim lufta e UÇK-së kishte qenë për idealin e kahmotshëm “për Shqipëri”, braktisja e kësaj ideje si e parealizueshme, çuditërisht, qe lansuar nga një akademik maqedonas, Gjorgje Efremov, qe përqafuar nga Lubço Georgievski dhe pak politikanë (StojanAndovi e kishte quajtur si “ide interesante”…). E kishte refuzuar edhe UÇK-ja, sepse modeli i ndarjes nuk kishte qenë as përafërsisht sipas hartës etnike, sepse kishte përfshirë edhe këmbim territoresh me Shqipërinë! Çfarë bashkimi do të kishte qenë nëse me Shqipërinë do të shkonte vetëm Tetova, Gostivari dhe Dibra, kurse gjysma tjetër e shqiptarëve jetonin në Shkup, Kumanovë, Strugë, Kërçovë…?

Pra, çështja që sot e sa vjet është aktuale me Kosovën, së pari si ide qe sprovuar si mundësi “nën tavolinë” gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni dhe qe braktisur. Në atë fazë të zhvillimeve prapa perdes, siç kanë deklaruar aktorët kryesorë të asaj kohe, Georgievski dhe Arbër Xhaferi, problem ka qenë si të zgjidhet pikërisht çështja e Shkupit, sepse në një pjesë të mirë jetojnë shqiptarët. Edhe këtu në opsion ka qenë ndarja sipas parimit etnik… Po, merre si ta marrësh, ai opsion do të ishte dramatik, sepse ka pasur dy “nyje gordiane”: e para, se në cilindo variant, s’do të kishte ndarje në vija etnike, sepse “përtej vijës” do të mbeteshin pjesëtarë “të padëshiruar” dhe e dyta, këmbimi i popullsisë, që do të kishte elemente të pastrimit etnik, vështirë se do të realizohej në baza vullnetare. Nuk është lehtë dikë ta detyrosh nga një tokë pjellore ose lagje ku është akomoduar, të shkojë te shteti tjetër, në mjedis të panjohur. Janë çrregullime të shumëfishta për t’u kapërdisur aq lehtë.

Duke u nisur nga përvoja të ngjashme traumatike të ndarjeve dhe shpërnguljeve të popullsisë (grekët dhe myslimanët pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, dëbimi i folksdojçerëve të Vojvodinës nga ish-Jugosllavia pas Luftës së Dytë Botërore,…), ky lloj i lëvizjes bëhet vetëm në kohëra krizash, si pasojë e luftërave të mëdha, pas të cilave çfarëdo koekzistence midis popujve të armiqësuar duket e pamundur. Është pothuajse e parealizueshme të ketë këmbim absolut dhe drejtësi absolute në një “aranzhman” të tillë. Prandaj mbetet varianti tjetër, ai në të cilin nuk beson gjithkush, që të krijohen marrëdhënie harmonike brenda një shoqërie të përzier etnikisht, duke i respektuar specifikat, veçoritë, gjuhët, religjionet. Kur Lubço Georgievski në vitin 2001 ndihej i “tradhtuar” nga shqiptarët, që “donin t’ia prishin shtetin”, ai donte t’i heqë qafe fizikisht nga territori i Maqedonisë për një shkak pragmatik që ai sot e kësaj dite, kohë pas kohe, e përmend: më mirë kështu të ndahemi me shqiptarët se sa nesër të jemi pakicë në shtetin tonë! Gjithnjë duke menduar në trendët e natalitetit te të dy bashkësitë etnike. Ndoshta për të njëjtën arsye, edhe UÇK-ja, së cilës i kishte shkuar haberi (oferta) për ndarje dhe këmbim territoresh, mund ta ketë refuzuar. Pse një pjesë të vogël, pse jo të barabartë në gjithë territorin?

 

Bosnja e Dejtonit dhe Kosova e Ahtisarit kundrejt Maqedonisë së “Ohrit”

 

Non-paper-i, që po sillet si fanton kancelarive europiane, të cilit “nuk i del zot” askush, e me gjasë e ka adresën në Beograd, mëton të gjejë “zgjidhje etnike” për vendet multietnike. Një gogol të cilit i frikohen të gjithë, e që e dëshirojnë qarqet serbe. Sepse, këto qarqe, madje edhe ato zyrtare, nga të gjithë luftërat që i bënë në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, nuk i realizuan objektivat shtetmëdha, po ato u mbetën në gjysmë rruge. “Statusin special” të ofruar nga bashkësia ndërkombëtare, serbët e Kroacisë e kishin refuzuar në fillim të luftës, duke pretenduar në të drejtën e popujve e jo të republikave për vetëvendosje gjer në shkëputje, por siç e dimë, “oluja” e Tugjmanit i la as pa status special e as bashkim me Serbinë dhe pjesën serbe të Bosnjës. Në Bosnjë, pas qindra mijë viktimave, prapë serbët e udhëhequr nga ideatori i hegjemonisë, Sllobodan Millosheviq, nuk ia arritën ta shkëputin territorin e pretenduar serb, por një zgjidhje të bashkësisë ndërkombëtare për Bosnjën (Marrëveshja e Dejtonit), këtë vend e bëri shtet jofunksional pikërisht falë pretendimeve serbe për vetëvendosje dhe bashkim me Serbinë të Republikës Serbe, e cila në territorin e vet ka edhe pjesë të fituara nga lufta, si një plaçkë lufte, që për fat të keq i qe njohur në Dejton. Shumëkush pajtohet se Bosnja, e jo Kosova, është objektivi serb.

“Nuk mundet Serbia të japë gjithçka e të mos marrë asgjë”, është kjo motoja e presidentit serb, i cili në realizmin se “Kosova është e humbur”, të paktën diçka të fitojë, por ajo që do të fitojë është “të shqepë” diçka nga territori i Kosovës, qoftë dhe sa për sy e faqe, me të cilën pastaj do të mund ta qetësojë publikun e vet, kurse në anën tjetër, pikërisht ky aranzhman politik të shërbejë si alibi për serbët e Bosnjës: “Kur mundet Kosova të ndahet nga Serbia, pse Republika Serbe të mos ndahet nga Bosnja?!”. Zaten, në planin gjeostrategjik, Rusisë i konvenon përfundimi i këtillë (pavarësia e Kosovës), që “ta legalizojë” marrjen e Krimesë dhe të ndonjë territori tjetër me shumicë ruse në Ukrainë ose ndonjë nga ish-republikat e Federatës Ruse ose të Bashkimit Sovjetik, që sot janë të pavarura…

Karta e Helsinkit për mosndryshim kufijsh, sado që është në disfavor të popujve që u është bërë padrejtësi historike në të kaluarën, si p.sh. shqiptarëve, dhe në rastin e Kosovës është e pafavorshme për ta rrumbullakuar pavarësinë, në anën tjetër është në favor të ruajtjes së tërësisë territoriale të Bosnjës, Ukrainës ose ndonjë vendi tjetër ku ka futur gishtat Rusia, në emër të mbrojtjes së interesave të veta. Ndonëse në parim diçka që vlen për një vend duhet të vlejë për të gjithë, prapëseprapë nuk është çdo rrëfim i njëjtë në kontekstet historike, sepse, si bie fjala, te Kosova, Gjyqi Ndërkombëtar i së Drejtës i dha të drejtë Kosovës për të drejtën e vetëvendosjes, pikërisht duke u nisur nga parimi i padrejtësisë që i është bërë në të kaluarën dhe veprimeve gjithnjë gjenocidale nga regjimet serbe ndaj Kosovës, me dëbime masive e masakra.

Por, situata është kjo që është dhe nga Serbia dhe Kosova kërkohet një kompromis. Në dy rrafshe: në atë të brendshmin, që është ndërtimi i marrëdhënieve midis komunitetit shumicë dhe komuniteteve pakica, me theks të veçantë të serbëve, dhe në rrafshin e relacioneve ndërshtetërore serbo-kosovare. Për fat të keq, këto dy gjëra janë të kushtëzuara nga njëra-tjetra, sepse që të dyja janë të pëpërfunduara. Në të vërtetë, pakoja e Ahtisarit që është bazë kushtetuese, në planin e brendshëm e ka zgjedhur modelin multietnik të realizimit të të drejtave, pra me garanci maksimale, ku serbët, që janë sot diku pesë për qind, e gëzojnë të drejtën e popullit konstitutiv në mbarë territorin, por mosrealizimi i Asociacionit të Komunave Serbe, e ka lënë përgjysmë edhe normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Ndërkaq, Serbia e shfrytëzon maksimalisht mos realizimin e Asociacionit, derisa në Kosovë, duke bërë rezistencë e zhurmë kundër saj, i janë dhënë konotacione çfarë ajo nuk i ka pasur në fillim, pra ingerenca ekzekutive, prej të cilave ka frikë Kosova, gjegjësisht, “krahinizim”, që mund t’i forcojë në të ardhmen tendencat për shkëputje nga Kosova ose, madje, dhe disfunksionalizim të Kosovës sikur Bosnja.

Për fat të keq, në ish-Jugosllavi u sprovuan të dy modelet (ai i ndarjes dhe ai multietnik), por pa sukses dhe funksionalitet të njëjtë. Modeli multietnik i Bosnjës, në të vërtetë, është ndarje faktike në baza etnike, duke pasur parasysh vendimmarrjen me konsensus, një konsensus çfarë është i kobshëm për funksionimin e konfederatës, kur ke interesa e synime krejtësisht të kundërta midis serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve. Modeli multietnik i Kosovës është një imponim përtej një realiteti etnik, ku ke një shumicë të madhe mbi 80 përqind dhe ke serbët, romët, turqit…në përqindje të vogla, por që për shkak të relacioneve me Serbinë dhe shkëputjes së Kosovës prej saj, serbët kanë pozicion të favorizuar. Të mos ishte hapur debati për ingerencat ekzekutive të Asociacionit të Komunave Serbe, shoqëria kosovare nuk do të kishte problem me “teprinë” e të drejtave një pakice. Por, derisa të mos ketë marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës dhe njohje nga Serbia, modeli multietnik kosovar do të jetë me pikëpyetje, ndërsa në momentin kur kjo do të ndodhë, mund të bëhet funksional.

Edhe pse Arbër Xhaferi mund të mos e ketë parapëlqyer modelin multietnik, për të evituar traumat nga dramat e mëdha sociale e politike, modeli i Marrëveshjes së Ohrit, i mbindërtuar ndërkohë me avancime në fushën e barazisë në arsim, përfaqësim adekuat (të drejtë) në administratë, në përdorimin e gjuhëve dhe në një të ardhme edhe me barazi ose proporcionalitet (me një mekanizëm të drejtë) të ndarjes së mjeteve buxhetore, “modeli maqedonas” i multietnicitetit ose i zgjidhjes së problemeve ndëretnike, tregohet më i mirë se ai Bosnjës së Dejtonit, i cili i lë hapur të gjitha opsionet për shkak të vendosjes së një bashkësie jofunksionale shtetërore me botë paralele, jointerkomunikuese.

Pikë nismëtare ideore në modelin (e ndarjeve) etnik(e) është që secili popull të gjejë strehim në shtetin e vet, por kjo është e parealizueshme, duke e pasur parasysh se të rralla janë hartat e pastra etnike, ku mund t’u vizatosh kufij që njëri popull “të lirohet” nga tjetri. Dhe, ky model “ideal” e ka defektin aty. Edhe kur Kosovës ia “këndojnë” këngën e ndarjes, në një ndarje eventuale me këmbim territoresh, prapë mbetet në ndonjë komunë serbe në “brendi”, prej së cilës nuk mund të çlirohesh. Në Maqedoni të Veriut kjo është edhe më e parealizueshme për shkak të qyteteve të përziera.

Prandaj, modeli i shoqërive multietnike, gjithsesi, mbetet alternativa më realiste. Ndoshta kërkon më shumë harmonizim kushtetues sipas realitetit, ndoshta kërkon më shumë mjete buxhetore, sepse edhe realizimi i disa të drejtave (siç është përdorimi i gjuhëve) është i shtrenjtë, por është i drejtë dhe është një kompensim për mosrealizimin e synimeve të disa popujve që të jetojnë në shtetin e tyre.