` . Zgjedhjet në Shqipëri, vështirësia e një referendumi - TV SHENJA

Zgjedhjet në Shqipëri, vështirësia e një referendumi

Këto zgjedhje janë një momentum i rëndësishëm në politikëbërjen shqiptare për disa arsye. Në parim, ato janë një filtër demokratik dhe rikthim i vullnetit te sovrani (populli), pra janë konfirmim e rifreskim i vullnetit demokratik. Nga ana tjetër, ato i japin mundësi opozitës demokratike që ta dëshmojë veten karshi rivalit socialist dhe kritikën që ka bërë ndër vite të mund ta shndërrojë në program politik të pranueshëm e të dëshirueshëm nga qytetarët.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Zgjedhjet, që pritet të mbahen më 25 prill në Republikën e Shqipërisë, po priten më vëmendje jo vetëm nga faktori brendashqiptar, por edhe nga institucionet e Bashkimit Europian. Vetë Parlamenti Europian, përkatësisht Komisioni i Jashtëm, në raportin e fundit për progresin e Shqipërisë në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësim thekson se zhvillimi i këtyre zgjedhjeve si të lira dhe të ndershme është i rëndësishëm për anëtarësim, duke shtuar se atyre duhet t’u paraprijë një “fushatë zgjedhore transparente, e besueshme dhe objektive, e ꞔliruar nga dezinformimi, kërcënimi dhe akuzat e rreme”, për çka politika shqiptare është shquar në vazhdimësi. Ndonëse Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, zgjedhjet e 25 prillit i quan referendum, ato nuk duket të sjellin ndonjë ndryshim të madh. Megjithatë, këto zgjedhje janë një momentum i rëndësishëm në politikëbërjen shqiptare për disa arsye. Në parim, ato janë një filtër demokratik dhe rikthim i vullnetit te sovrani (populli), pra janë konfirmim e rifreskim i vullnetit demokratik. Nga ana tjetër, ato i japin mundësi opozitës demokratike që ta dëshmojë veten karshi rivalit socialist dhe kritikën që ka bërë ndër vite të mund ta shndërrojë në program politik të pranueshëm e të dëshirueshëm nga qytetarët. Por, për ta bërë këtë, opozita do të duhej të ishte në nivel të detyrës dhe të kishte bartës seriozë e karizmatikë të programit dhe ideve politike, strukturë më të organizuar dhe artikulim më sistematik e kreativ të kritikës politike. Duke vështruar rrugëtimin politik në tre mandatet e fundit, vëren se skenës politike shqiptare i ka munguar opozita reale, zëri aktiv dhe i konsoliduar opozitar, me gjeneratën e re në krye. Prandaj, për ngecjet evidente në rrugëtimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të vendit duhet drejtuar gishtin po aq edhe nga opozita. Kjo performancë e opozitës paraqet një siguri shtesë për socialistët se edhe ky mandat mund të merret me lehtësi. Duket e vështirë që mbase as rikthimi i Sali Berishës do të mund të kthente fuqinë e demokratëve në skenën politike. Sukseset që janë arritur në tri mandatet e kryeministrit Edi Rama lënë nën hije zërin e zbehtë opozitar dhe kritikën e ndrojtur qytetare, ani pse zhvillimi i vërtetë i vendit lë vend për të dëshiruar. Ngase shteti vazhdon të vuajë nga defekte në zhvillimin ekonomik e social, në drejtësi dhe në transparencën publike. Por kjo do të jetë lehtë e përballueshme për pushtetin aktual karshi një opozite të dobët.

 Dukuri negative, sprovë për shtetin

Njëra nga fenomenet negative, që si duket ka lëshuar rrënjë në hapësirën shqiptare dhe ka vazhduar pavarësisht ndryshimeve në pushtetin politik, është krimi i organizuar. Sipas shumë hulumtimeve, raporteve dhe fakteve nga terreni, Shqipëria vazhdon të mbetet vatër nën hije e krimit të organizuar, vrasjeve enigmatike dhe e kultivimit dhe pazareve të substancave narkotike dhe urë lidhëse tejballkanike e rrjeteve të drogës. Lidhjet e bartësve të këtyre fenomeneve me biznesmenë e politikanë vendorë dhe me persona me ndikim në gjyqësor është dekuraujese. Prandaj, sfidë në vete për secilin pushtet politik vazhdon të mbetet ballafaqimi me këtë botë të padukshme. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke bashkëpunuar me vendet anëtare të BE-së, ishte edhe kërkesë e BE-së në fazën aktuale të anëtarësimit. Prandaj në hartën punuese të kabinetit të ri, cilido qoftë ai, kjo do të jetë një detyrë sfiduese.

Demokratizimi i praktikave elektorale

Në praktikën elektorale në Ballkanin Perëndimor, në rastin në fjalë në Shqipëri, hasen dukuri të cilat e dëmtojnë rëndë kulturën demokratike dhe funksionimin e rendit ligjor. Blerja  dhe vjedhja e votave, kushtëzimet, shantazhet, akuzat e pabaza e kërcënimet, janë praktika jodemokratike, që kanë vënë hije të zezë mbi shtetin dhe kanë penguar zhvillimin normal. Prandaj mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve është shumë e rëndësishme edhe nga këndvështrimi i Bashkimit Europian, për t’u parë nga afër rezultatet në demokratizimin e shoqërisë dhe shtetit. Shto kësaj faktin se si liderët kryesorë institucionalë në skenën politike shqiptare shpesh janë përfshirë në akuza e kundërakuza ndaj njëri-tjetrit, duke përdorur fjalor të papërshtatshëm e fyerje, madje duke mbajtur edhe qëndrime të kundërta për çështje në interes të vendit në kohën kur do të duhej të kishte harmonizim dhe ujdi mes tyre. Mungesa e qëndrimeve të harmonizuara, përplasjet, acarimet dhe fyerjet ndërmjet krerëve të shtetit tregojnë anën tjetër të demokracisë shqiptare, që ende bart shumë hipoteka nga e kaluara. Klima e polarizuar politike, tensionet dhe mungesa e dialogut mes palëve, është kritikuar edhe nga Parlamenti Europian.

Përfshirja e Lëvizjes Vetëvendosje, risi dhe pikëpyetje

Përfshirja e Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje është risi për politikën shqiptare. Ndonëse si momentum kohor ndodhë në kohën pasi Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, duke marrë mbi 50 për qind të votave, në Shqipëri terreni politik është krejtësisht tjetër. Prirja për ta marrë model rastin e Kosovës edhe për rritjen e Vetëvendosjes në Shqipëri nuk bazohet në premisa reale. Duhet pasur parasysh se historia e pluralizmit politik, natyra e problemeve (përjashto krimin e korrupsionin, varfërinë e papunësinë), demografia elektorale, si dhe struktura organizative dhe profili i liderit politik, dallojnë dukshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Një ndër shumë shembujt mund të përmendet fakti se Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë u rrit e u konsolidua duke qenë zë i fuqishëm kritik për mënyrën e shtetndërtimit, për qasjen ndaj sovranitetit të shtetit, për hesapet e pambyllura të luftës, në kohën kur emocionaliteti i njerëzve për vendin dhe atë që përjetoi ishte ende i madh, kur zhgënjimi me ata liderë e parti që “na e sollën paqen e lirinë” arriti kulmin. Rrëfimi për Vetëvendosjen në Kosovë e ngërthen në vete edhe indin e lirisë, të luftës dhe sakrificës së popullit për çlirim nga robëria. Pra, pos temave socio-ekonomike që shtronte, Vetëvendosje! artikulonte qartë në program politik ndërgjegjen kombëtare, duke u nisur nga rrëfimi i rezistencës dhe luftës. Prandaj këto kontekste i mungojnë Shqipërisë që Vetëvendosje! të marrë hovin e njëjtë edhe atje. Shqipëria përballet me një frymë politike kur shtetndërtimi (në kuptimin klasik të fjalës që ka të bëjë me konsolidimin e një territori kompakt, ushtrimin e sovranitetit mbi të, njohjen ndërkombëtare, mbylljen e konteksteve të luftës/konfliktit me shtete tjera etj.) është punë e kryer, kur hallet kanë dimension tjetër, ku ecuria e zhvillimeve megjithatë është në një stad tjetër, kur fryma historike dhe emocionaliteti për të vendosur drejtësi pas luftës së mundimshme e zhgënjimit nuk është se jeton më. Nga ana tjetër, Vetëvendosje! në Kosovë ishte frymë origjinale, e lindur në ballafaqim me realitetin politik e socio-ekonomik, kombëtar e moral. Ndërkaq ajo në Shqipëri bart etiketën e të qenit vegëz, degë e zgjatim i asaj në Kosovë. Vetëvendosje! në Shqipëri ka terren të mjaftueshëm për t’u bërë parti aktive dhe për t’u ngritur lart, ka tema e hapësirë të mjaftueshme në fushën sociale e ekonomike, por i mungojnë disa premisa që e karakterizojnë atë në Kosovë e të cilat e kanë ngritur atë deri këtu. Pos tjerash, i mungon edhe karizma e liderit, vendosmëria, aktivizmi nëpër demonstrata masive, burgosja që nga vitet e ’90-ta e deri më tani. I mungon një figurë rebele, që e lidh solidaritetin socio-politik të viteve të ’90-ta me ato 2000 e tutje; që e lidh rrëfimin nga robëria deri tek liria e mirëqenia. I mungon filozofia, rezistenca, aftësia e pakontestueshme dhe elokuenca e popullariteti i liderit, siç është Albin Kurti në Kosovë (pa dashur të gjykoj strukturën në fjalë në Shqipëri, për nga dija, horizonti, aktivizmi e puna). Prandaj, duket të jetë real skepticizmi ndaj suksesit masiv të kësaj lëvizjeje në Shqipëri.

 Hartë e re apo rikonfirmim pushteti?

 Harta e re politike pas zgjedhjeve të 25 prillit nuk duket të jetë edhe aq e re. Me gjasë, do të ketë një rikonfirmim të pushtetit të PS-së, pavarësisht heqjes nga lista të disa eksponentëve ose emrave të fuqishëm dhe pavarësisht gabimeve që ka bërë në këto tri mandate. Kjo do t’i mundësonte PS-së dhe kryeministrit Rama që në mandatin e katërt të bartë meritën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe të hynte në histori më këtë nam. Ndonëse pas këtyre zgjedhjeve Shqipërinë e pret hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian (konferenca e parë ndërqeveritare), janë një sërë çështjesh që pritet të marrin aprovimin e institucioneve të BE-së për ta konfirmuar progresin e saj. Në krye të tyre qëndrojnë ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe me funksionimin e institucioneve sipas rendit demokratik ose, siç potencon raporti i fundit për progresin e Shqipërisë, “Reformat e pakthyeshme, të qëndrueshme lidhur me sundimin e ligjit, funksionimin efektiv të institucioneve demokratike dhe administratës publike dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Po ashtu kërkesë thelbësore vazhdon të mbetet lufta kundër korrupsionit në nivele të larta dhe përshpejtimi i procedurave të vetingut dhe reformave në drejtësi për të ndërtuar një gjyqësor funksional. Kështu BE-ja, përmes kushteve shtesë për Shqipërinë, po e përcjell ecurinë e zhvillimeve në vend. Një nga misionet me të cilin ngarkohet qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit do të mbetet mbarëvajtja dhe finalizimi i procesit të anëtarësimit në BE. Ndërkaq ky mandat është një mundësi më shumë për të ngritur një opozitë reale, një zë kritik që artikulon qartë e me vendosmëri hallet dhe mendimet e qytetarëve për shtetin dhe shoqërinë, që i thotë jo abuzimit me pasurinë dhe postin publik dhe i organizon masat për t’i mbrojtur vlerat demokratike, që synon ndërtimin e një shteti me udhëheqës të ndershëm, mbi principet e drejtësisë dhe barazisë. Kjo do ta bënte më të shëndoshë demokracinë, zhvillimin në funksion të lehtësimit e përmirësimit të jetës së qytetarëve. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e shtetit shqiptar me Republikën e Kosovës do të duhej të hynin në një stad të ri. Teksa jemi në frymën e integrimeve, përafrimi e solidariteti i mëtejmë ekonomik, politik e kulturor, madje edhe ai ushtarak Shqipëri-Kosovë, i bazuar në premisa vëllazërore, historike, morale, madje edhe qytetare, vetëm do t’i lehtësonte e afirmonte proceset integruese në nivel rajonal e europian.