` . Zgjedhjet në Shqipëri, një perspektivë nga jashtë - TV SHENJA

Zgjedhjet në Shqipëri, një perspektivë nga jashtë

Çfarëdo qeverie të fitojë Shqipëria, nuk mund të priten ndryshime të skajshme kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me Kosovën, si shtet me shumicë shqiptare, dhe Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët janë në numër të konsiderueshëm. Aleancat dhe afërsitë midis partive politike nga të tre shtetet gjithsesi se do ta përcaktojnë ritmin dhe thellësinë e bashkëpunimit Tiranë-Prishtinë-Shkup. Në rast se Rama do ta fitojë mandatin e tretë, atëherë ballafaqimi i tij me Kurtin do të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit shqiptar në rajon dhe përtej.   

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

“Do ta ndryshoj ligjin dhe do t’u mundësoj shqiptarëve etnikë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut të mund të pajisen me shtetësi shqiptare”. Kjo ishte një deklaratë e Sali Berishës, e dhënë në nëntor të vitit 2012, në euforinë e kremtimit të 100-vjetorit të formimit të shtetit shqiptar. Këtu nuk kishte vetëm eufori – shtatë muaj më vonë, në qershor të vitit 2013, në Shqipëri ishin caktuar të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare. Berisha, si kryeministër i asaj kohe, e shihte rënien e Partisë Demokratike dhe ngritjen e Partisë Socialiste, andaj tentoi “të vrasë” dy zogj me një gurë: të hapë dyert e kombit shqiptar për të gjithë shqiptarët etnikë dhe të fitojë me ta votues të rinj që do t’i vulosnin fitoren.

Zgjedhjet në çdo shtet demokratik janë një proces që prodhojnë institucione brenda një territori të caktuar administrativ, të cilat përfaqësojnë qytetarët dhe qeverisin duke zbatuar politikat e legjitimuara në atë proces. Ky proces nënkupton pjesëmarrje, konkurrencë dhe llogaridhënie vertikale të partive garuese për pushtet. Për të qenë votues në një vend, përveç moshës, duhet të jesh pjesë e kombit të tij. Për të qenë pjesë e një kombi, të duhet kartë anëtarësie – pasaportë (shtetësi). Ernest Geller thotë se identiteti kombëtar është një formë e religjionit shekullar, ndërkohë shtetësia është një kartë anëtarësie.

Politikanë dhe biznesmenë në Kosovë e Maqedoni të Veriut – votues në Shqipëri

Por, ligji i shtetësisë në Shqipëri asnjëherë nuk u ndryshua rrënjësisht. Reagimet e diplomatëve të huaj e bindën Berishën që të tërhiqet nga kjo ide. Realizimi i saj do të prodhonte dy efekte, të cilat shihen problematike nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare: e para, do të pengonte shtetndërtimin e Kosovës dhe konsolidimin e Maqedonisë së Veriut si shtet demokratik dhe, e dyta, do të mundësonte një kontingjent të madh votash shtesë për PD-në e Berishës, e cila në atë kohë kishte më shumë përkrahës jashtë kufijve të Shqipërisë.

Ndryshimi i ligjit të shtetësisë në Shqipëri në vitin 2020, edhe pse e lehtësoi procedurën e marrjes së saj, sërish nuk u mundëson shqiptarëve etnikë jashtë saj të pajisen me pasaportë shqiptare. Sipas numrave jozyrtarë, numri i shqiptarëve etnikë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut që kanë shtetësi shqiptare nuk kalon numrin 500. Janë këta sportistë, që kanë pasaportë për merita të caktuara, ose politikanë e biznesmenë që kanë arritur te shtetësia, duke përdorur lidhjet politike. Sipas një hulumtimi të gazetares Fatjona Mejdini, shtetësi për merita të veçanta në vitin 2009 kanë marrë vetëm shtatë persona dhe 8 në vitin  2010. Numri ka shënuar një rritje pas vitit 2011, kur Shqipëria e fitoi liberalizimin e vizave nga Bashkimi Europian (BE). Kështu, në këtë vit numri i shtetësive të ndara shkoi në 23, në vitin 2012 në 71, në vitin 2013 në 75, kurse në 2016-ën u ndanë 52 shtetësi vetëm në pjesën e parë të vitit. Më 2016 me shtetësi shqiptare u pajis edhe Albin Kurti, kryeministri i ri i Kosovës. Dhënia e shtetësisë u bë me dekret të presidentit të atëhershëm Bujar Nishani, i dalë nga PD, dhe ajo u arsyetua si vijon: ”Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin e Kosovës, Albin Kurti, gjithashtu duhet të marrë pjesë në aktivitetet ndërkombëtare në të cilat ai ftohet dhe nuk mund të marrë vizë ose pasaporta nuk i njihet”. Por, Nishani sikur kishte harruar se Kurti që nga 2014 nuk ishte kryetar i atij komisioni, madje as edhe anëtar. Numri i shtetësive të dhëna gjatë viteve vazhdonte të rritej, kështu që më 2018 arriti në 119 raste. Me shtetësi shqiptare në 2017 u pajisën edhe Ramush Haradinaj me bashkëshorten e tij (Anita), më 2018 shtetësinë e mori Hashim Thaçi dhe djali i tij (Endriti), Afërdita dhe Besnik Mustafa, vajza dhe djali i ish kryeministrit, Isa Mustafa, të cilët e morën nënshtetësinë shqiptare në janar të vitit 2018, si dhe 15 anëtarë të familjes Pacolli.

Në listën e gjatë të personave që kanë marrë shtetësi shqiptare janë edhe gazetarë, sportistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova, ndërsa ka edhe politikanë nga Maqedonia e Veriut, por numri i tyre është i vogël, kjo për shkak se vendi mori liberalizim vizash që në 2009-ën.

Interesi për zgjedhjet e 25 prillit

Duke marrë parasysh këto numra, është e kuptueshme mungesa e interesit të partive në Shqipëri për të shpalosur platformat e tyre para shqiptarëve etnikë jashtë shtetit. Për dallim nga Vetëvendosja e Kurtit, e cila mori deri më 10 mijë vota nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. shkaku se të njëjtit posedojnë edhe shtetësinë kosovare, PS, PD ose LSI nuk kanë një grup që i drejtohet jashtë shtetit shqiptar. Rrjedhimisht, nuk kanë pse të shtrijnë aktivitetet e tyre në Kosovë dhe Maqedoni. Ato i shtrijnë aktivitetet parazgjedhore vetëm kur duhet ta bindin diasporën si grup i konsiderueshëm i votave. Në bazë të listës së fundit të zgjedhësve, në Shqipëri ka afërsisht 3.5 milionë votues, derisa vendi ka regjistruar 2.8 milionë banorë. Nga këto shifra, diaspora e Shqipërisë numëron diku 700 mijë shtetas.

Nga ana tjetër, zgjedhjet dhe skena politike në Shqipëri është ndjekur me vëmendje të madhe në Kosovë e Maqedoni të Veriut, kjo nga shkaku se Tirana gjatë kohë është parë si kryeqendra politike e të gjithë shqiptarëve etnikë në rajon. Jo vetëm pas vitit 1991, kur ndodhi kalimi nga sistemi njëpartiak në demokraci, por edhe para kësaj periudhe. Ndjekja fshehurazi e programit të Radio-Televizionit Shtetëror Shqiptar dhe lartësimi i figurës së Enver Hoxhës, si lider dhe mbrojtës i interesit të të gjithë shqiptarëve etnikë, për dekada të tëra ka qenë një realitet. Kjo trashëgimi politike e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka projektuar një autoritet etnopolitik te çdo kryeministër ose president shteti të Shqipërisë edhe gjatë periudhës së demokratizimit të vendit, madje edhe sot. Kjo ka bërë që politika e Tiranës shpesh të ndikojë në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, duke prodhuar vendime të caktuara ose ngritje-rënie të partive dhe figurave politike. Ky ndikim është përdorur shpesh për interesa lukrative, nga të cilat nuk kanë pasur asnjë përfitim qytetarët e asnjërit shtet, përveç klaneve të ndryshme të biznes-politikës shqiptare.

Në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri për herë të parë ndodh një tentim për ndikim nga Kosova në Shqipëri. Lëvizja Vetëvendosja e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, ka nxjerrë kandidatë në tre nga 12 qarqe zgjedhore të Shqipërisë, që japin gjithsej 14 deputetë: Iliaz Shehu për Qarkun e Lezhës, Kreshnik Merxhani për Qarkun e Gjirokastrës dhe Boiken Abazi për Qarkun e Tiranës. Në një nga përbërjet e fundit qeveritare, ndërkaq, Rama vendosi dy shtetas të Kosovës për ministra, që të dy oponentë të Kurtit – Genc Cakajn për kryediplomat dhe Besa Shahini si ministre e Arsimit. Ka kohë që Rama dhe Kurti janë në një lloj gare për kontroll politik mbi gjeografinë etnike shqiptare, të shtrirë në pesë shtete. Deri më tani kjo garë ka qenë asimetrike – Rama ishte kryeministër, kurse Kurti lider i një partie opozitare në ngritje. Së këndejmi, përpjekja e Kurtit për ta dobësuar ndikimin e Ramës në Kosovë ose edhe për të rritur ndikimit e tij jashtë kufijve të Kosovës, dukej tepër ambicioze. Tani, nga pozita e kryeministrit gjërat mund të shkojnë më shumë në favor të Kurtit. Nëse jo në këto zgjedhje, në të ardhshmet gjithsesi.

Qeveria e ardhshme e Shqipërisë

Anketat tregojnë një epërsi të PS-së së kryeministrit Rama, duke e nxjerrë atë favorit për krijimin e qeverisë së ardhshme. Kjo do të thoshte një mandat të tretë radhazi për të. Reformat në drejtësi, reformat zgjedhore, marrja e datës për fillimin e bisedimeve anëtarësuese me BE-në, menaxhimi relativisht i mirë i qeverisë aktuale me pasojat nga tërmeti në 2019 dhe, së fundmi, i krizës me pandeminë e COVID-19 – nga njëra anë – dhe mungesa e organizimit të mirë të opozitës në krye me Lulzim Bashën – nga ana tjetër – ka bërë që Rama të ketë gjasa të mëdha të jetë kryeministër i Shqipërisë edhe në katër vitet e ardhshme. Sidoqoftë, sërish gjithçka do të varet nga rezultati zgjedhor i LSI-së së Monika Kryemadhit, që mund ta nxjerrë edhe një herë këtë parti si “kingmaker” në politikën shqiptare, njëjtë si në vitin 2013 ose 2017.

Nëse LSI do të arrijë të marrë mjaftueshëm deputetë, që t’ia mundësojë PS-së apo PD-së shumicën parlamentare, atëherë ka gjasa që timonin e qeverisë së ardhshme ta marrë Basha, kjo nga shkaku se PD dhe LSI janë në koalicion parazgjedhor në tri qarqe: Gjirokastër, Dibër dhe Kukës. Por, në qarqet e Tiranës, Vlorës dhe Fierit, ku dalin pjesa më e madhe e deputetëve, këto parti shkojnë ndaras, gjë që i lë një derë hapur LSI-së për një koalicion të mundshëm me PS-në.

Nuk përjashtohet as mundësia që Rama dhe Basha të bëjnë qeverinë e koalicionit të gjerë, një skenar nga i cili frikësohet LSI e Kryemadhit dhe presidenti Ilir Meta, i cili e themeloi këtë parti dhe e udhëhoqi deri në marrjen e postit të presidentit të shtetit. Për një koalicion të tillë mund të jenë të interesuar edhe qendra perëndimore të ndikimit politik, me qëllim që përfundimisht të fillojë një luftë reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të rrumbullakohen reformat në drejtësi, të zbatohen reformat përgjatë procesit të bisedimeve me BE-në dhe të sigurohet një demokraci kualitative dhe funksionale në Shqipëri.

Çfarëdo qeverie të fitojë Shqipëria, nuk mund të priten ndryshime të skajshme kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me Kosovën, si shtet me shumicë shqiptare, dhe Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët janë në numër të konsiderueshëm. Aleancat dhe afërsitë midis partive politike nga të tre shtetet gjithsesi se do ta përcaktojnë ritmin dhe thellësinë e bashkëpunimit Tiranë-Prishtinë-Shkup. Në rast se Rama do ta fitojë mandatin e tretë, atëherë ballafaqimi i tij me Kurtin do të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit shqiptar në rajon dhe përtej.