` . Zgjedhjet në Shqipëri – impakti nga Kosova dhe për Kosovën - TV SHENJA

Zgjedhjet në Shqipëri – impakti nga Kosova dhe për Kosovën

Nëse garën e fiton Lul Basha, raportet Kosovë-Shqipëri do të jenë në karshillëk, pasi në Prishtinë do të qeverisin të majtit me një krah të djathë në koalicion (Lista e Vjosa Osmanit), kurse në Tiranë do të qeverisin të djathtit me një krah të majtë (LSI). Kësisoji nuk pritet një bashkëpunim përmbajtjesor mes tyre, pos asaj çfarë kemi pasur deri më tani. Nëse garën e fiton sërish Edi Rama, raportet Kosovë-Shqipëri do të përkeqësohen.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Zgjedhjet në Shqipëri vijnë pas ndryshimeve të mëdha në Greqi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë. Në çdo vend normal, ndryshimet në të gjitha vendet fqinje do të implikonin ndryshime edhe në vet atë vend. Por, Shqipëria është Shqipëri dhe ky ndryshim nuk është e thënë të ndodhë.

Në fakt, në Shqipërinë post-komuniste alternimi i pushtetit ka shkuar si vijon: socialistët e mbajtën një mandat, pastaj demokratët një mandat, pasuan socialistët me dy mandate dhe demokratët me dy mandate. Tani socialistët po e mbarojnë mandatin e dytë dhe mbetet të shihet nëse cikli do të vazhdojë me tri mandate apo do të ndodhë rotacioni. Sidoqoftë, skena politike shqiptare është më konfliktuozja në Ballkan.

Lufta politike për pushtet në Shqipëri i ka premisat e vazhdimit të luftës civile të filluar më 1943. Pasardhësit e partizanëve janë të rreshtuar në Partinë Socialiste, kurse pasardhësit e antikomunistëve në Partinë Demokratike. LSI-ja dhe partia e minoritetit grek, që bëhen herë në njërin krah e herë në tjetrin, janë ato që e turbullojnë këtë pikturë. Në fakt, origjina e anëtarëve të LSI-së është ajo partizane, por që nuk e kanë problem të ndryshojnë anë. Deri më tani pushtetin politik në Shqipëri e merrte ajo forcë e cila i mobilizonte simpatizantët e vet më shumë dhe e humbiste ajo që nuk arrinte t’i motivonte simpatizantët. Por, në Shqipëri janë shumë të pakët ata që votojnë njërin krah në njërën palë zgjedhje dhe tjetrin herën tjetër. Simpatizantët jo të thekur ose votojnë për krahun të cilit i takojnë historikisht ose nuk dalin për të votuar.

Fakti që në këto zgjedhje në Shqipëri merr pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ketë impakt. Sado që ata që garojnë për Vetëvendosjen në Shqipëri janë personazhe të njohura për publikun shqiptar dhe që fitorja e Albin Kurtit në Kosovë shihet me simpati nga shumëkush në Shqipëri, prapëseprapë Albin Kurti në Shqipëri shihet si kosovar dhe se pandani i tij në Shqipëri akoma nuk ka dalë në skenën politike. (Në Maqedoni, Albin Kurti shihet si më vendor sesa në Shqipëri, por ai që mund të ishte pandani i tij në Maqedoni – Rufi Osmani, ka kohë që ka hequr dorë nga politika). Kështu, sfiduesi i vetëm i Edi Ramës mbetet Lul Basha ose, më mirë thënë, vetvetja. Thjesht, votuesi i lëkundur shqiptar nuk do ta votojë Lul Bashën se beson në aftësitë e tij ose se ka simpati për veprimet e tij politike, por se do ta shohë si më potencialin te vota kundër Edi Ramës.

Vota kundër Edi Ramës mund të grumbullohet edhe tek LSI. E thashë më parë se kalimet nga krahu i djathtë te krahu i majtë dhe anasjelltas i pamundëson ndarja ideologjike e kushtëzuar nga historia, por kalimet PS-LSI dhe anasjelltas janë normale. Gjatë qëndrimit të LSI-së në opozitë për këto 4 vite është e vështirë të vlerësohet se sa nga elektorati i saj ka kaluar në PS dhe anasjelltas: sa të zhgënjyer me Edi Ramën do të kalojnë në LSI.

Ajo çfarë është e sigurt, pavarësisht se kush do ta fitojë garën zgjedhore në Shqipëri, janë raportet me Kosovën. Nëse garën e fiton Lul Basha, raportet Kosovë-Shqipëri do të jenë në karshillëk, pasi në Prishtinë do të qeverisin të majtit me një krah të djathë në koalicion (Lista e Vjosa Osmanit), kurse në Tiranë do të qeverisin të djathtit me një krah të majtë (LSI). Kësisoji nuk pritet një bashkëpunim përmbajtjesor mes tyre, pos asaj çfarë kemi pasur deri më tani. Nëse garën e fiton sërish Edi Rama, raportet Kosovë-Shqipëri do të përkeqësohen. Beteja se kush është vëllai i madh e kush vëllai i vogël do t’i acarojë raportet personale mes Edi Ramës e Albin Kurtit. Kjo do të reflektojë marrëdhëniet e përgjithshme Prishtinë-Tiranë.

Retorika për bashkim “Shqipëri-Kosovë”, e përdorur nga Albin Kurti, dhe, po ashtu, nga Edi Rama, do të tingëllojë kërcënuese ndaj njëri-tjetrit. Këtë acarim të pritshëm mund ta zbusë vetëm një rezultat i dobët i Vetëvendosjes në Shqipëri, por edhe në këtë rast nuk do të mungojnë shpotitjet e Edi Ramës.

Situatat acaruese mes Edi Ramës e Albin Kurtit mund të jenë përcjellëse të procesit të dialogut Prishtinë-Beograd. Konteksti rajonal i këtij dialogu do të jetë përherë në tavolinë. Albin Kurti do të tentojë këtu të flasë edhe në emër të Shqipërisë për të zënë pozicion më të mirë në pazar me Vuçiqin, por edhe Edi Rama do të përpiqet të tregohet se është bosi i Ballkanit.

Kështu, në interes të mbarëvajtjes së dialogut Kosovë-Serbi, fitorja e Lul Bashës do të ishte më dobiprurëse. Ndoshta ky do të jetë edhe motivi i perëndimorëve që ta përkrahin Lul Bashën.