Zgjedhja e presidentit në Shqipëri, një farsë kushtetuese

Zgjedhja e presidentit në Shqipëri, një farsë kushtetuese

Ndryshimi në procedurën e zgjedhjes së Presidentit tregoi anën qesharake të demokracisë shqiptare. Deri në vitin 2008 presidenti zgjidhej me 3/5 e votave (84) të anëtarëve të Kuvendit, në tre raunde. Më 2008, procesit të zgjedhjes së presidentit iu shtuan dhe dy raunde – tashmë ai mund të zgjidhej edhe me shumicë të thjeshtë: 50 për qind + 1 votë (71 vota). Kjo e bën gjithë procesin qesharak, sepse ia ka hequr atij istrumentin që nxiste palët parlamentare të hynin në bisedime.

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Në Shqipëri po zhvillohet farsa politike e radhës: zgjedhja e Presidentit të Republikës.

Bazuar në Kushtetutë, Presidenti i Republikës është kryetari i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit, por në fakt ai është një lloj noteri i qeverisë dhe Kuvendit, pa fuqi reale. Presidenti i parashikuar në kushtetutë është i dobët, ngase mënyra se si zgjidhet e kthen në një figurë qesharake. Kushtetuta parashikon pesë raunde për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Zgjedhja bëhet pa debat, për ta ruajtur figurën e tij nga akuzat politike që hidhen në debate të Kuvendit, por tallja me figurën e Presidentit bëhet në mënyrë tjetër.

Në tre raundet e para të votimit, President zgjidhet kandidati që merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në shifra absolute, në tre raundet e para kandidati fitues duhet të marrë 84 vota në një Kuvend me 140 anëtarë.

Kufiri 3/5 e votave është i logjikshëm, po të kemi parasysh që bëhet fjalë për zgjedhjen e figurës më të lartë të shtetit dhe përfaqësuesit të unitetit të popullit. Një kufi i tillë, në një vend me politikë agresive e konfliktuale, ka kuptim, sepse i detyron palët kundërshtare në Kuvendin e Shqipërisë, kur vjen koha e zgjedhjes së Presidentit, të ulin armët politike dhe të ulen në bisedime. Zotërimi i 3/5 së mandatave nga një parti ose koalicion i vetëm është parashikuar si i vështirë më 1998, kur u miratua kushtetuta dhe ashtu ka rezultuar.

Mirëpo, vetë Kushtetuta lë shteg për zhvlerësimin e procesit dhe poshtërimin e figurës së Presidentit. Në raundin e katërt, meqenëse asnjë kandidat nuk ka arritur të marrë 3/5 e votave, atëherë Kushtetuta e ul pragun e votave të fituesit, në “më shumë se gjysmën”, domethënë  në raundin e katër ndryshon pragu i votave për zgjedhjen e presidentit, duke zbritur në 50 për qind +1 votë ose, referuar përbërjes së tanishme të Kuvendit, 71 vota.

Përderisa mbërritja te raundi i tretë nuk ka asnjë pengesë, veçse duhet pritur përmbushja e disa afateve kohore, tre raundet e para për votimin e Presidentit të Republikës janë një farsë e gdhendur në tekstin ligjor më të rëndësishëm të Republikës. Ata që e kanë hartuar atë tekst dhe ata që e ndjekin përmbajtjen e tij, tallen në mënyrë publike me qytetarët.

Ajo që ndodhë është politikë e nivelit të ulët. Partitë politike shtiren sikur negociojnë për Presidentin në tre raundet e para dhe pastaj, në raundin e katërt ose të pestë, partia që është në pushtet, ajo që ka më shumë se gjysmën e deputetëve, e zgjedh Presidentin e Republikës.

Në rastin konkret, vetë procesi kushtetues është qesharak. Pragjet e larta të votave vendosen për një arsye, që palët të negociojnë, të bëjnë lëshime, t’i kthejnë sytë nga vlerat që kanë të përbashkëta, jo ndasitë, jo pozicionet ekstreme. Pragjet e votave, si në rastin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore, i cili ndryshohet vetëm me 3/5 e votave të anëtarëve të Kuvendit, e kufizojnë mundësinë që partia ose koalicioni që ka shumicën në Kuvend ta ndryshojë ligjin për interesa të ngushta partiake. Përvoja e zgjedhjeve në Shqipëri, në periudhën pas regjimit komunist, ka treguar se partitë e kanë të vështirë të sigurojnë të vetme 3/5 e vendeve të Kuvendit në zgjedhje, andaj për ndryshimin e ligjeve që kërkojnë prag të lartë votash detyrohen të bëjnë marrëveshje.

Sigurisht, teknalitetet ligjore nuk janë gjithçka për të frenuar një gjendje të keqe ose për ta përmirësuar një gjendje të caktuar. Rolin kryesor e luan qasja e politikanëve, të cilët mund të negociojnë me njëri-tjetrin, mund të bëjnë dhe marrëveshje, të nisur nga interesa të ngushta, por në nivel kombëtar rezultati të jetë jodobiprurës.

Më 2008, Kuvendi i Shqipërisë ndërhyri në kushtetutë, pas një marrëveshje pozitë-opozitë, duke bërë dy ndryshime themelore: 1) në sistemin zgjedhor; 2) në procedurën e zgjedhjes së Presidentit. Ndryshimi i sistemit zgjedhor, nga mazhoritar i korrektuar në proporcional rajonal, e ka dëmtuar garën demokratike, duke ia zënë frymën konkurrencës. Futja e kandidatëve për deputet në listat e zgjedhjeve qysh atëherë është kthyer në ekskluzivitet i kryetarëve të partive, të cilët i hartojnë listat në zyra, pa ndonjë garë të brendshme brenda partisë, me ç’rast askush nuk i merr parasysh preferencat e anëtarësisë së partisë. Kjo e ka kthyer procesin e përzgjedhjes së kandidatëve thuajse në një veprimtari okulte. Pretendentët janë më të shqetësuar të sigurojnë mbështetjen e një njeriu, që është kryetari i partisë, sesa të zgjedhësve të zonës zgjedhore ku ata pretendojnë të garojnë. Ky ndryshim në kushtetutë, pavarësisht se u bë me marrëveshje, nuk solli zhvillim pozitiv. Kryetarët e partive i forcuan pozicionet e tyre në krye të partisë, por gara demokratike u minua – deputetët e humbën lidhjen me elektoratin; zgjedhësit e humbën fuqinë e ndikimit.

Ndryshimi në procedurën e zgjedhjes së Presidentit tregoi anën qesharake të demokracisë shqiptare. Deri në vitin 2008 presidenti zgjidhej me 3/5 e votave (84) të anëtarëve të Kuvendit, në tre raunde. Më 2008, procesit të zgjedhjes së presidentit iu shtuan dhe dy raunde – tashmë ai mund të zgjidhej edhe me shumicë të thjeshtë: 50 për qind + 1 votë (71 vota). Kjo e bën gjithë procesin qesharak, sepse ia ka hequr atij istrumentin që nxiste palët parlamentare të hynin në bisedime. Tani partia ose koalicioni që ka shumicën (e thjeshtë) në Kuvend mund të presë e qetë skadimin e tre raundeve të para, që pastaj ta zgjedhë vetë Presidentin me 71 vota dhe zgjedhja është e ligjshme. Pikërisht kjo duket se po ndodhë me zgjedhjen e Presidentit kësaj radhe. PS-ja, partia me shumicën e vendeve në Kuvend, pret e qetë skadimin e raundeve për zgjedhjen e Presidentit. Deri tani (25 maj) janë djegur dy raunde, pa asnjë kandidat të propozuar, ndërsa ajo ka deklaruar se, në mungesë të kandidatëve të propozuar nga opozita, do të “detyrohet” ta zgjedhë vetë Presidentin. Opozita nuk propozon se nuk ka garanci se kandidatët e saj do të votohen nga mazhoranca, kështu që nuk ka propozuar zyrtarisht asnjë.

Si përfundim mund të thuhet se qëllimi i dispozitës kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me konsensus ka dështuar. Me ndryshimin e kushtetutës më 2008, u krijua mundësia që Presidenti të zgjidhet kushtetueshmërisht në mënyrë të njëanshme, kjo sa i përket anës formale, një teksti ligjor të shkruar, sepse fryma e futjes së palëve në bisedime, qëllimet dhe vizionet e tyre nuk mund të rregullohet me asnjë ligj. Disa cilësi të domosdoshme në politikë janë atribute njerëzore, jo ligjore.