` . Zemërligu - TV SHENJA

Zemërligu

Gjuha tradhton zemrën, por zemra nuk e tradhton kurrë gjuhën. Gjuha fsheh e mbulon atë çka zemra mban. Zemra zbulon e nxjerr në shesh atë që gjuha përpiqet ta fshehë. Ndodh kështu, sepse nuk mund të ndodhë ndryshe, ngaqë njeriu si kriter dallues të virtytshmërisë ose jo nuk ka vetëm fjalën, por edhe veprën.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Njeriu tregohet indiferent ndaj asaj që nuk kupton. Të kuptosh vlerën dhe kundërvlerën e diçkaje duhet më së pari të kesh banuar në shtëpinë e vlerave ose kundërvlerave. Të jesh vendosur përballë dilemës se do të duhet t’i përkasësh njërit ose tjetrit kah.

Në kuadrin e relativizimit, secili quan vlerë dhe kundërvlerë atë çfarë e beson si të tillë. Çfarë nuk e beson si të tillë, e përjashton katërçipërisht nga sistemi i vlerave ose kundërvlerave që ka formësuar në kokën e tij. Duhet shtuar se ky sistem mund të jetë ngritur mbi bazën e manipulimit, mashtrimit dhe pavërtetësisë. Nëse njeriu është rritur e edukuar nën hijen e një sistemi edukimi të kësaj natyre, atëherë gjykimi i tij nuk do të jetë gjykim i natyrshmërisë, me të cilën njeriu vjen në këtë botë. Shprishja e natyrshmërisë e çon njeriun medoemos drejt turbullimit shpirtëror. Gjendja e turbullirës shpirtërore i ka efektet e veta mbi shqisat, si porta të jashtme të informacionit. Ajo i ka ndikimet e veta edhe mbi zemrën, si qendra e të menduarit dhe të besuarit. Një zemër e turbulluar, akoma më keq një zemër e ngurtësuar nga egocentrizmi dhe ksenofobia, nuk mund të sjellë në jetë fryte të ëmbla, që i shërbejnë paqes, harmonisë dhe mirëkuptimit. Askush nuk pretendon se ndjen kënaqësi nga shijimi i frutave të hidhëta. Përkundrazi. Nëse shijojmë një frut, të hidhur do të reagojmë duke manifestuar pakënaqësinë përmes mërroljes së fytyrës. Edhe kënaqësinë e shijimit të frutave mbushur me ëmbëlsi e rrezaton fytyra.

Gjendjet e njeriut shpërfaqen nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve të tij. Rruga e vetme, përmes së cilës kalon jeta, është përmbajtja e zemrës. Ndodh që fjalët që përdor dikush të jenë me tepër vlerë, tepër të çmuara, të thëna nga njerëz të urtë e të shquar për urtësi e dëlirësi. Përdorimi i fjalëve të kësaj natyre nuk tregojnë me domosdoshmëri edhe natyrën e zemrës së përdoruesit. Nëse do të ishte kështu, do të kishim një panoramë tjetër përballë syve. Njerëz që performojnë për t’u dukur ata që s’janë dhe as mund të jenë ashtu siç përpiqen të performojnë. Nëse vëzhgohen me hollësi në mimikë, kur nxjerrin prej gojës fjalë të çmuara, sytë dhe vështrimi i tyre flasin shumëçka për mbulimin e tradhtisë, që gjuha i bën zemrës në këtë rast.

Gjuha tradhton zemrën, por zemra nuk e tradhton kurrë gjuhën. Gjuha fsheh e mbulon atë çka zemra mban. Zemra zbulon e nxjerr në shesh atë që gjuha përpiqet ta fshehë. Ndodh kështu, sepse nuk mund të ndodhë ndryshe, ngaqë njeriu si kriter dallues të virtytshmërisë ose jo nuk ka vetëm fjalën, por edhe veprën. Vërtet fjala është e para, por qëndrimet që mban pas fjalës së thënë janë domethënëse për natyrën e shpirtit që ka njeriu. Hendeku mes urtësive që artikulohen prej gjuhës dhe veprave që kryhen me urdhër të zemrës na e dëftojnë qartas vlerën e personit. Nuk mund të ketë dilema, lëkundje dhe hamendësime mbi këtë vlerë, kur shihet qartë kundërshtia mes fjalës dhe veprës në vazhdimësi. Mund të ndodhë që jo gjithmonë fjala të përputhet me veprën, që njeriu të bëjë dhe gabime, por kjo nuk e zhbën mirësinë e njeriut nëse në vazhdimësi i qëndron besnik virtytshmërisë. Nëse vazhdimësia flet për pabesi ndaj virtytshmërisë, atëherë përse duhet të kemi dilema për vlerën e çdokujt që përpiqet t’i fshehë qëllimet e errëta në planin afatgjatë me fjalët e urta e të virtytshme?

Manipulimi dhe përdorimi i të manipuluarve për interesa të caktuara tashmë është më se i njohur. Nuk ka konspiracion në këtë pjesë. Veprimet flasin shumë më tepër se fjalët në këtë rast. Edhe fjala e thënë është një akt, një veprim që ka si parakusht të menduarit. Pas çdo fjale të thënë e pas çdo akti të kryer fshihet një qëllim i caktuar. Në kuadër të manipulimit nuk mund të ketë kurrsesi qëllime fisnike. Kushdo që përpiqet të manipulojë mendjet njerëzore, qoftë edhe nëpërmjet fjalësh të përzgjedhura me kujdes e tepër të çmuara në urtësi, fsheh qëllime të errëta në zemër. Nëse nuk do të ishte kështu, fytyra do t’i ndrinte e do t’ia pasqyronte bardhësinë e zemrës. Të flasësh më bukur dhe hijshëm se shumë të tjerë, ndërkohë që veprat nxijnë prej ligësisë, nuk të ngre aspak në sferën e hierarkisë së vlerave. Në sferën e humnerës së antivlerave po.

Zemërligu nuk mund të ujitë trëndafila. Qëllimi i tij fund e krye është të shtrojë gjemba pa fund në rrugën drejt trëndafilit. Ai i shërben me zell këtij qëllimi dhe e përhap mjegullën e mashtrimit dhe paturpësisë, duke helmuar shpirtrat e dobët dhe të lëkundur me helmin e gënjeshtrës, mashtrimit, kinse i shërben së mirës, virtytit dhe drejtësisë. Ndërkohë që vepron kësisoj, zgërdhihet nën hundë, si për të thënë se sa të lehtë janë mendërisht këta që duartrokasin fjalët e mia dhe nuk arrijnë ta kuptojnë zemrën time. Mjafton një çast i vetëm për ta kuptuar të pabesin e zemërligun.

Sado bukur të maskohet njeriu, në fund tradhtohet prej asaj që jeton në zemrën e tij.