Zelensky i bën thirrje Gjermanisë të ketë qëndrim më të qartë për luftën në Ukrainë

Zelensky i bën thirrje Gjermanisë të ketë qëndrim më të qartë për luftën në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje kancelarit gjerman, Olaf Scholz të ketë pozicion më të qartë për luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Neve na duhet që kancelari Scholz të sigurojë që Gjermania mbështet Ukrainën. Ai dhe Qeveria e tij duhet të vendosin”, ka thënë Zelensky në një intervistë për transmetuesin gjerman, ZDF.

Gjermania nuk duhet të tentojë të gjejë një balancë në marrëdhënien me Ukrainën dhe lidhjet me Rusinë, ka thënë presidenti ukrainas.

“Gjermania ka nisur të dërgojë armë më vonë sesa shtetet fqinje. Ky është fakt”, ka thënë Zelensky.
Në fillim, Gjermania dhe Franca kanë mbështetur Ukrainën vetëm në aspektin politik dhe retorik, ka shtuar ai.

Scholz ka hedhur poshtë kritikat se Gjermania është duke vepruar shumë ngadalë në dërgim të armëve të rënda në Ukrainë.

“Ne do të dërgojmë të gjitha armët për të cilat jemi pajtuar”, ka thënë Scholz të hënën, duke shtuar se forcat ukrainase duhet të trajnohen për përdorim të armëve.

“Janë armë tejet të rënda. Duhet të mësoheni t’i përdorni, duhet të trajnohen”, ka thënë Scholz, duke shtuar se ushtarët ukrainas janë duke kryer trajnime në Gjermani për këtë gjë./REL