Zelensky e cilëson Rusinë shtet të terrorit

Zelensky e cilëson Rusinë shtet të terrorit

Rusia përdor terrorin në të gjitha nivelet, dhe jo vetëm në Ukrainë, ka paralajmëruar presidenti Zelensky. Ndërsa presidenti rus, Putin në bisedë me Scholz dhe Macron paralajmëroi nga dërgime të tjera armësh në Ukrainë.
Presidenti ukrainas, Zelensky e ka akuzuar Rusinë për politikë të terrorit. “Unë do t’ia kujtoj gjithmonë botës, se Rusia më në fund zyrtarisht duhet të njihet si shtet terrori, si nxitëse e terrorizmit”, tha presidenti ukrainas në një fjalim me video në Kiev. Ky përcaktim reflekton realitetin e përditshëm, që Rusia ka krijuar me sulmin e saj kundër Ukrainës dhe do që ta “çojë shumë më tepër drejt Europës”. Zelensky theksoi se “kjo duhet të pranohet ligjërisht.”
Zelensky është shprehur, se në fillim të javës, do t’u drejtohet anëtarëve të samitit të BE në Bruksel dhe do të flasë për “terrorin, që sot vërtet është bërë e vetmja mënyrë e vrprimit e shtetit rus kundër Europës. “Terror në Ukrainë, terror në tregun e energjisë në Europë, jo vetëm në vendin tonë. Terror në tregun e artikujve ushqimorë, madje në të gjithë botën.” Vetëm së bashku europianët mund ta ndalin politikën e një shteti të tillë, theksoi Zelensky.
Biseda telefonike Scholz-Macron-Putin
Presidenti rus ka paralajmëruar Gjermaninë nga dërgimi i armëve të tjera në Ukrainë. Në një bisedë telefonike mes kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe presidentit Putin të shtunën, kreu i Kremlinit është shprehur, se dërgimi i armëve të tjera është i “rrezikshëm”. Sipas tij ekziston rreziku që në Ukrainë “situata të destabilizohet më tej dhe të ashpërsohet kriza humanitare.” Putin kërkoi sërish heqjen e sanksioneve në këmbim të eksporteve të grurit.
Sipas zyrës së kancelarit gjerman me Putin është biseduar 80 minuta, një bisedë që erdhi me iniciativë të Scholz dhe presidentit Macron. Si kancelari gjerman edhe presidenti Macron kanë kërkuar edhe njëherë një armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqjen e trupave ruse. Më tej ata i bënë thirrje Putinit për negociata të drejtpërdrejta me presidentin ukrainas, Zelensky.
Sipas njoftimit zyrtar të Parisit Gjermania dhe Franca kanë kërkuar edhe lirimin e 2500 luftëtarëve që kanë mbrojtur kombinatin e çelikut Azov në Mariupol./DW