Zelensky: Dëbimi i rusëve nga Izyumi, pikë kthese në luftë

Zelensky: Dëbimi i rusëve nga Izyumi, pikë kthese në luftë

Forcat ukrainase po vazhdojnë kundërofensivën në veri të rajonit Kharkiv, e avancimet në pjesët e tjera të vendit dhe rënia e rusëve në verilindje janë konfirmuar edhe nga agjencitë e inteligjencës perëndimore.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka përshëndetur tërheqjen e rusëve nga qyteti Izyum në Kharkiv si një pikë kthese në muajin e gjashtë të luftës.

Zelensky konsideron se ky dimër do të mund të sjellë avancimin më të madh të forcave mbrojtëse të Ukrainës, nëse arrijnë të sigurojnë armët e duhura.

“Në rajonin e Kharkivit kemi filluar të avancojmë jo vetëm në drejtim të jugut dhe lindje, por edhe në drejtim të veriut. I kemi edhe 50 kilometra deri në kufi me Rusinë”, tha Valeri Zaluzhni nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

Rënia e Izyumit paraqet humbjen më të madhe të ushtrisë ruse që kur janë dëbuar nga rajonit i Kievit. Ushtarët rusë pas vetes kanë lënë sasi të mëdha armësh, shkruan Reuters.

Ukrainasit kanë arritur ta fusin nën kontroll Kupjanskun, stacionin hekurudhor – ku me këtë veprim ua kanë vështirësuar qarkullimin rusëve në jug.

“Mendoj se ky dimër është pika e kthesës që mund të sjellë çlirimin e Ukrainës. Po shohim se si okupatorët po ikin në drejtime të ndryshme. Po të ishim paksa më të armatosur, do të çliroheshim më shpejtë”, shtoi Zelensky