Volkswageni në muajin tetor të vitit të kaluar ka prezantuar gjeneratën e tetë të modelit të famshëm, Golf, ndërsa këtë vit pritet të dalin në treg versionet sportive të tij.
Javën e kaluar, ky prodhues prestigjioz gjerman i veturave ka konfirmuar zyrtarisht se modelet e reja Golf GTI i Golf GTD do të debutojnë në muajin mars në panairin e Gjenevës, ndërsa Golf R në korrik në ngjarjen “Goodwood Festival”.

Tani, në internet është shfaqur një fotografi në të cilën shihet vetëm pjesa e pasme e Golf GTI-së e pa maskuar, transmeton Koha.net. Përmes kësaj fotografie është zbuluar pamja dhe dizajni i pjesës së pasme të këtij modeli sportiv.
Në paketën e Golf GTI-së në dispozicion do të jetë marshi manual me 6 shpejtësi ose automatik me 7 shpejtësi, rrotat më të mëdha, maska e përparme me ngjyrë të zezë dhe logon “GTI”, timonin prej lëkure me pjesën e poshtme të rrafshët, si dhe pedalet dhe ulëset sportive.
Ashtu sikurse versionet tjera, edhe Golf GTI do të ketë sistemin e ri për argëtim dhe informim (infotainment) të ndjeshëm në prekje, ekranin Head-up, instrument-tabelën digjitale, sistemin “Travel Assist” për vozitje gjysmë-autonome, si dhe me sistemin “Car2X” i cili Golfit të ri i mundëson të komunikojë dhe shkëmbejë informata me rrethinën.
Mediat gjermane vlerësojnë se versioni bazë i Golf GTI të ri do të kushtojë rreth 33,000 euro.