Xhaferi duhet të deklarohet për nismën e referendumit të VMRO-DPMNE-së

Xhaferi duhet të deklarohet për nismën e referendumit të VMRO-DPMNE-së

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi sot pritet të shqyrtojë iniciativën e VMRO-DPMNE-së për mbajtjen e referendumit për anulimin e Marrëveshjes me Bullgarinë. Nga kabineti i Xhaferit, informacionet zyrtare janë se ai sot do të jetë në punë dhe se do të njoftojnë për vendimin e tij për iniciativën. Nëse merr dritë jeshile, atëherë duhet t’ia përcjellë Komisionit Ligjvënës dhe Komisionit të Regjistrimit, dhe ata duhet të deklarojnë korrektësinë e saj brenda dy ditëve pune, sipas nenit 191 paragrafi 2 i Rregullores së Kuvendit.

Nëse Kryetari i Kuvendit konstaton se iniciativa është në rregull, për këtë e njofton propozuesin e autorizuar, në rastin e VMRO-DPMNE-së, në afat prej tri ditësh nga marrja e mendimit nga trupat punues. Në bazë të nenit 192 paragrafi 2, nëse Kryetari i Kuvendit konstaton se iniciativa është e çrregullt, çështja lidhur me iniciativën vendoset në rendin e ditës të seancës së parë pasuese. Kuvendi vendos me konkluzion nëse iniciativa është e rregullt. Kryetari i Kuvendit në afat prej tri ditësh e njofton propozuesin e autorizuar për përfundimin e Kuvendit. Kjo parashikohet në Rregulloren e Kuvendit. Tashmë në opinion janë shfaqur informacione se ndoshta Xhaferi nuk do ta pranojë nismën dhe akuzat nga opozita se pas saj do të qëndrojnë partitë në pushtet.

Në media është publikuar një fotografi e dokumentit të nismës së dorëzuar në Kuvend, e cila tregon se ajo po i dorëzohet kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, pa përmendur “Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Dje lideri i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me procedurën për dorëzimin e iniciativës në Kuvend, tha se nëse e konsiderojnë pengesë do ta korrigjojnë.

“Ata mund të gjejnë justifikime sa të duan dhe ta shtyjnë punën. Për ne ka rëndësi thelbi, jo formaliteti. Dhe nëse është pengesë, ne do ta korrigjojmë atë pengesë dhe do ta dorëzojmë ashtu siç ata e vlerësojnë se duhet të kryhet, vetëm për të pasur një procedurë të suksesshme, për t’i lejuar qytetarët në mënyrë demokratike të shprehen për politikat e qeverisë në lidhje me Marrëveshjen me Republikën e Bullgarisë, theksoi Mickoski.

Mickoski në deklaratën e djeshme tha se beson në suksesin e referendumit, por theksoi se pavarësisht nga rezultati, edhe nëse ai dështon, partia në këto rrethana nuk do të mbështesë ndryshimin e Kushtetutës.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, ka thënë mbrëmë se nuk do të ketë kuptim as mbajtja e referendumit, kur pavarësisht nga rezultati, opozita VMRO-DPMNE nuk planifikon të votojë.

“Vetëm një referendum ka kuptim – nëse jeni për anëtarësimin në BE apo jo, të gjitha pyetjet e tjera po anashkalojnë të vetmen pyetje reale, tha Mariçiq.

“Çështja e referendumit është me të vërtetë serioze dhe më vjen keq që VMRO-DPMNE-ja në mënyrë të tillë e ka hapur, nuk është kjo ballafaqim i pushtetit dhe opozitës. Të përkujtojmë pyetjen që e parashtron VMRO-DPMNE-ja për referendum është e lidhur për Marrëveshjen të vitit 2017 me Bullgarinë për të cilën, njëjtë si edhe për propozimin francez në korrik të këtij viti, VMRO-DPMNE-ja nuk ka pasur guxim, ndërsa ka pasur mundësi të votojë kundër. Ata as atëherë në vitin 2017, as tani për propozimin francez nuk votuan kundër, por e braktisën sallën në aktin e votimit”, tha Mariçiq në emisionin Top Tema në TV Tellma.

Zëvendëskryeministri për Çështje evropiane vlerëson se kjo është lojë politike ose dëshirë që opozita të dalë nga kjo situatë, duke iu referuar faktit se me vite në programin e VMRO-DPMNE-së, i cili ndikoi që edhe LSDM-ja ta ndryshojë programin, është vendosur që cilado zgjidhje me Greqinë duhet të gjendet në referendum para qytetarëve dhe kur erdhi koha e referendumit në vitin 2018, VMRO-DPMNE-ja vendosi ta bojkotojë.

Mariçiq tha se janë të qarta kushtet me të cilat do të hymë në BE, ato tanimë janë vendosur në Kornizën negocuese dhe vlerëson se nëse bëhet referendum, pyetja duhet të jetë e duhur, jo nëse jeni për anulimin e marrëveshjes, por nëse jeni për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Askujt në Qeveri, thotë ai, nuk i ka ardhur mirë ose e ka bërë me kënaqësi kompromisin që është bërë me Bullgarinë.

“Por duhet të udhëheqemi nga interesat shtetërore dhe dëshirës që të dërgohet shteti përpara. Dy janë interesat tona: ta ruajmë identitetin dhe gjuhën dhe të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian”, pohon Mariçiq.

Ai nuk deshi të saktësojë nëse mblidhen 150.000 nënshkrime për shpalljen e referendumit, a do të bëjë thirrje LSDM-ja për bojkot apo do të merr pjesë.

“Herët është të thuhet, njëqind herë të më pyesni do ta keni përgjigjen e njejtë. Mendoj se për këtë temë nuk duhet të ketë referendum. Nëse dëshirojmë referendum, duhet të jetë me pyetjen e duhur: Nëse dëshironi që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së? Kjo është thelbi i kësaj dileme”, tha Mariçiq.

Sipas tij, më së miri për shtetin është të përqendrohemi në agjendën e konfirmuar së bashku për reforma, bashkarisht me opozitën, në punën e përbashkët të skriningut dhe të negociatave dhe të gjitha çështjet e hapura të diskutohen në Këshillin kombëtar për eurointegrime, trup të cilit duhet t’i japim fuqi dhe rëndësi të re.

LSDM-ja në pushtet sërish ka dalë me një deklaratë ku thotë se iniciativa e Hristijan Mickoskit për referendum është mashtrim i tij i ri ndaj qytetarëve, i cili nuk do të ketë sukses.

“Pas katër vitesh Mickoski kërkon referendum për marrëveshjen të cilën e ka përkrahur publikisht para zyrtarëve bullgarë. Referendumi i Mickoskit është kundër gjuhës maqedonase dhe identitetit maqedonas në BE dhe është ekskluzivisht për përdorim të tij personal brendapartiak. Të gjitha këto i dinë qytetarët dhe për këtë arsye nuk e përkrahin Mickoskin në përpjekjen e tij të fundit për të mbajtur ulësen në Pallatin e Bardhë, njofton LSDM.