` . Vuçiqi thotë se qëllimi i Kurtit ishte largimi i Serbisë nga dialogu - TV SHENJA

Vuçiqi thotë se qëllimi i Kurtit ishte largimi i Serbisë nga dialogu

Tërheqja e Serbisë nga dialogu, ka thënë presidenti Aleksandar Vuçiq, ka qenë qëllimi i kryeministrit Albin Kurti në takimin e së martës në Bruksel.

Duke folur për marrëveshjen për paqe të propozuar nga Kurti, Vuçiqi tha se nënshkrimi i saj mund të bëhet vetëm nga dy shtete të pavarura.

“Shikoni se çfarë pyetje kanë ngritur. E para, 10 herë e ka përmendur fjalën pranimi i Kosovës duke pyetur kur, kur, kur do të ndodhë dhe ka marrë vetëm një herë përgjigje dhe të fuqishme ‘kurrë’. Ju kam thënë qe jemi shtet i pavarur dhe kemi qëndrimin tonë pa marrë parasysh që kemi marrëdhënie të mira me SHBA-në”, tha Vuçiq.

Më tutje ai ka përmendur edhe kërkesën e tij që të bëhen gërmime në disa lokacione në Kosovë, nën dyshimin se mund të ketë trupa të serbëve, kërkesë për të cilën Vuçiqi ka thënë se nuk ka marrë përgjigje nga pala kosovare.

Takimi i parë mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është kritikuar në Kosovë.

Ish-koordinatori shtetëror për dialogun, Skënder Hyseni, ka thënë se sjellja e Kurtit në Bruksel të martën ka dobësuar pozicionin negociues të Kosovës.

“Sjellja arrogante dhe pa sens diplomatik e Albin Kurtit në takimin e djeshëm në Bruksel ishte përpjekje e dëshpëruar për ta minuar dialogun deri në ndërprerje të plotë. Rrjedhimisht, Albin Kurti shkaktoi njërin nga dështimet më të mëdha diplomatike të Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së saj. Kurti arriti që me sjelljen e tij diletante, krekosjen prej populisti dhe papërgjegjësinë e theksuar, ta dobësonte në masë të madhe pozicionin negociues të Kosovës në vazhdimin e dialogut, i cili, deshi s’deshi Albin Kurti do të vazhdojë. Kosova në Bruksel dje bëri saktësisht atë që Vuçiq dhe Serbia preferonin. Kurti shpërfaqi dëshirën e tij për ruajtje të status quo-së. E asgjë më shumë nuk përputhet me strategjinë afatgjate serbe dhe interesat serbe sesa mbajtja pezull, në gjendje të ngrirë, e kontestit Kosovë-Serbi me fajin e Kosovës. Kjo sjellje e kryeministrit aktual të Kosovës dëmton rëndë interesat afatgjata të vendit. Ai tregoi se nuk ka vullnet, guxim dhe as dije t’i mbrojë interesat fondamentalë të vendit. E sot nuk ka interes më të madh dhe më urgjent për Kosovën sesa përmbyllja e konfliktit me Serbinë me njohje të ndërsjellë. Mburravecëria para kamerave e tij dje në Bruksel të bënte të mendosh se Kurti po i drejtohej ndonjë tubimi të VV-së diku në ndonjë fshat të Kosovës, duke bërë monolog populist dhe folk-patriotik! Sidoqoftë, rrethanë e mirë është që jo çdo gjë, që të mos them pak gjë, varet nga Kurti dhe Vuçiqi, të cilët duket kanë të njëjtin qëllim, zvarritjen dhe status quo-në. Dialogu do të vazhdojë dhe unë besoj se do të mbyllet shpejt”, ka shkruar Hyseni.

Takimin e Kurtit e ka konsideruar humbje kohe për Kosovën kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Është pikërisht ajo që kemi paralajmëruar, rreziku nga mashtruesi Kurti, pra në këtë rast Kurti është mashtrues ordiner dhe po mashtron popullin e Kosovës me një qasje të rrezikshme në dialog, duke mos kërkuar substancën e paraparë për të cilën ne e synojmë dialogun, por duke u shpërndarë në tema të panevojshme”.

Ndër propozimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në takimin e së martës në Bruksel ishte edhe ai për largimin e Veljko Odaloviqit nga pozita e kreut të Komisionit për persona të pagjetur në Qeverinë e Serbisë.

Një kërkesë e tillë është përkrahur nga ish-drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq.

“Familjet e viktimave duhet të propozojnë për kryetar të atij komisioni një person që nuk është i komprometuar nga nacionalizmi dhe korrupsioni”, ka shkruar ajo në Twitter.

Lidhur me diskutimet e bëra të martën në Bruksel, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të raportojë në Kuvendin e Serbisë më 22 qershor. Derisa takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë është paralajmëruar për fundin e muajit korrik. /Kohanet/