` . Vuçiq me Putinin: Nuk jam optimist për kompromis me Kosovën - TV-SHENJA

Vuçiq me Putinin: Nuk jam optimist për kompromis me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të mërkurën se nuk është optimist për arritjen e një kompromisi midis Beogradit e Prishtinës, që do të sillte, siç tha ai, zgjidhje përfundimtare për Kosovën.

Vuçiq i bëri këto komente në Soçi të Rusisë, pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ai e falënderoi Putinin edhe për, siç tha, “qëndrimin parimor të Rusisë ndaj Kosovës”.

Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në shkurt të vitit 2008.

Dy presidenët iu drejtuan mediave, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të bashkëpunimit Serbi-Rusi në sferat ekonomike, politike dhe mbrojtëse.

“Marrëdhëniet tona po zhvillohen shumë pozitivisht. Partneritetin tonë strategjik e konfirmon puna jonë e përditshme”, tha Putin.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se Serbia ka përfunduar pothuajse ndërtimin e pjesës së saj të tubacionit, që do të bartë gazin natyror rus nën Detin e Zi, duke anashkaluar Ukrainën.

Projekti i tubacionit Rrjedha Turke “paraqet një investim të madh dhe një mundësi të madhe për zhvillimin e vendit tonë”, tha Vuçiq.

Faza e parë e tubacionit, për të furnizuar Turqinë së pari, pritet të hyjë në funksion deri në fund të vitit, me një kapacitet prej 15,75 miliardësh metra kub.

Takimi në Soçi vjen pasi shërbimet e inteligjencës në Beograd njoftuan muajin e kaluar se kanë zubuluar një operacion spiunimi midis agjentëve rusë dhe zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të ushtrisë serbe.

Por, Vuçiq u zotua se ky zbulim nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet “vëllazërore dhe miqësore” të Serbisë me Rusinë.

Takimi i Soçit është i treti midis presidentëve të Rusisë dhe Serbisë këtë vit dhe i shtatëmbëdhjeti në përgjithësi, tha Presidenca e Serbisë.