Vuçiq: Nuk nënshkruajmë marrëveshje për njohje reciproke me Kosovën

Vuçiq: Nuk nënshkruajmë marrëveshje për njohje reciproke me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se vendi i tij nuk do të nënshkruajë marrëveshje për njohje reciproke me Kosovën.

“Bukur, dinjitetshëm dhe me mirësjellje, nuk do të nënshkruajmë. Nuk na shkon mendja, nuk do ta konsiderojmë”, tha Vuçiç për gazetarët, gjatë një vizite në pjesën qendrore të Serbisë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një rezolutë, ku thuhet se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.
Kjo është hera e parë që në një dokument zyrtar të një institucioni evropian përmendet njohja reciproke.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Përkundër dhjetëra marrëveshjeve të arritura, rezultatet në terren lënë për të dëshiruar.

Vuçiç, po ashtu, e mohoi deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se një takim i tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pritet të zhvillohet së shpejti në Bruksel.

Vuçiç tha se mesazhet që vijnë nga Prishtina për një takim të mundshëm me Kurtin, nuk janë të vërteta.