Vuçiq i bën thirrje serbëve në Kosovë që ta ruajnë paqen

Vuçiq i bën thirrje serbëve në Kosovë që ta ruajnë paqen

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë para pak çastesh, se do t’i lusë të gjithë serbët në Kosovë që të ruajnë paqen.

Pas takimit të sotëm në Bruksel mes presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku nuk është arritur marrëveshje për targat, Vuçiq i është drejtuar gazetarëve duke dhënë detaje nga takimi i sotëm në Bruksel, transmeton Telegrafi.

Ai theksoi se pala kosovare gjatë takimit të sotëm nuk ka dashur të dëgjojë për çfarëdo zgjedhje kompromisi sa i përket çështjes së targave.

“Kemi dhënë gjithçka nga vetja, e në disa raste kemi pranuar kërkesa të reja dhe sërish tjera, e në një moment pas një orë e gjysmë i thash përfaqësuesit të lartë Josep Borrell dhe Miroslav Lajçakut dhe nuk ka asgjë nga kjo, e kuptova se koha do të kalojë dhe do të shfaqen vazhdimisht kërkesa të reja dhe pala kosovare nuk dëshironte kurrfarë zgjidhje kompromisi”, shtoi Vuçiq, i cili njihet për fjalimet e tij plot dramë.

“Sot e kam bërë të qartë se Serbia nuk ka probleme me targat KS dhe e kam përsëritur disa herë, mjafton që të kemi targat neutrale ndaj statusit. Por, pala tjetër reagoi shumë negavitisht për këtë dhe tha se koha e UNIMIK-ut ka kaluar shumë kohë më parë”, shtoi Vuçiq.

Presidenti serb pranoi se nuk mund të flasin për çdo gjë dhe të hapin çdo temë, por ajo që sipas tij duhet bërë është zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara dhe që janë në fuqi.

Ai këmbëngulë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke ritheksuar se është produkt i marrëveshjes së Brukselit. /Telegrafi/