Vuçiq flet për Kosovën: Ne njohim kufijtë e Ukrainës, shumica e shteteve të BE nuk njohin tanët

Vuçiq flet për Kosovën: Ne njohim kufijtë e Ukrainës, shumica e shteteve të BE nuk njohin tanët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, la të kuptohej se ishte i pashqetësuar nga kritikat që mund të marrë gjatë Samitit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, për faktin që nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.

“Ne kemi votuar kundër agresionit rus në Ukrainë në OKB dhe kemi shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës, siç mbështesim edhe të Serbisë, gjë që shumica e vendeve të BE-së nuk e bëjnë. Ne kemi respekt për veten, të paktën mendojmë se e respektojmë veten më shumë se sa të tjerët na respektojnë ne”, tha Vuçiq.
Duke folur për Kosovën, Presidenti serb përsëriti përgjigjen ndaj Kancelarit gjerman, Olaf Scholz, për njohjen e pavarësisë së Kosovës: “I kam thënë se ne nuk presim që ta bëjmë këtë gjë”. Scholz deklaroi gjatë një turi në vendet e rajonit se priste që rezultati përfundimtar i bisedimeve mes palëve të ishte njohja e Kosovës nga Serbia.
Sa i përket dyshimeve për të marrë pjesë në samit, bashkë me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe atë maqedonas, Dimitar Kovaçevski, Vuçiç u shpreh: “Tani jemi këtu për të folur për të ardhmen europiane dhe besoj se fundi do të jetë i mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Para nisjes së samitit, Presidenti serb u takua me homologun francez Emanuel Macron, i cili ka hartuar një propozim për të mundësuar heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut nga ana e Bullgarisë, çka do të hapte rrugë për nisjen e negociatave me unionin.