` . Vuçiq: BE-së i kam kërkuar “ta frenojë” Prishtinën – nëse nuk mundet, e bëjmë ne - TV SHENJA

Vuçiq: BE-së i kam kërkuar “ta frenojë” Prishtinën – nëse nuk mundet, e bëjmë ne

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të mërkurën se, gjatë bisedimeve me serbët në Rashkë, i ka kërkuar Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që “ta frenojë Prishtinën dhe “nëse ata nuk janë në gjendje – ne do ta bëjmë”.

Vuçiq vuri në dukje se “Prishtina kishte mbështetjen e të paktën një vendi perëndimor për aksionin e sotëm në veri të Kosovës”, shkruan Danas, transmeton Shqip.com.
Vuçiq tha se Serbia ishte në dijeni për këtë operacion nga të dhënat e saj të inteligjencës, dhe se “gëzhojat e predhës u gjetën në veri të Kosovës me një kalibër 5.56 milimetra dhe se plumbat u qëlluan nga Ushtria e Kosovës”.
Ai u tha serbëve se “pavarësisht se çfarë ndodh, Serbia dhe Beogradi do të jenë me ta”.

Presidenti serb shtoi se Britania, Amerika, Gjermania dhe të gjitha vendet e QUIN-it duan pavarësi të plotë të Kosovës dhe “atyre nuk u intereson se çfarë do të bëjë Prishtina”.

“As sot, ata nuk thanë – fajin e kanë shqiptarët. Ata nuk janë të shqetësuar për këto ngjarje në veri të Kosovës”, u shpreh Vuçiq.
Ai tha gjithashtu se një pjesë e fuqive të mëdha, nga Perëndimi, duan të “destabilizojnë” këtë zonë sepse sipas tij, në atë mënyrë mund t’i menaxhojnë më lehtë proceset dhe të dobësojnë Serbinë.

Para Vuçiqit, folën një numër i madh i serbëve nga Kosova, të cilët njëzëri i kërkuan që të përgjigjet drejtpërdrejt nëse “Serbia do të qëndrojë prapa tyre dhe do t’i mbrojë ata, sepse nuk mund ta durojnë më terrorizmin”.