Vuçiç: Çfarëdo konflikti në Kosovë do të ishte katastrofal për Serbinë

Vuçiç: Çfarëdo konflikti në Kosovë do të ishte katastrofal për Serbinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se nëse do të kishte ndonjë konflikt në Kosovë, do të ishte katastrofal për Serbinë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Si Komandant i Përgjithshëm, nuk kam ndërmend t’i dërgoj fëmijët tanë në luftë. Por nëse sulmohen fëmijët tanë, nënat dhe baballarët, ne do të jemi në gjendje t’i mbrojmë ata, besoni fjalëve të mia për këtë”, tha Vuçiq në seancën speciale të Kuvendit të Serbisë për negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Duke prezantuar raportin për procesin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nga 15 qershori 2021 deri në shtator të këtij viti, Vuçiç u tha deputetëve të Kuvendit të Serbisë se “përderisa të jetë në gjendje të ndikojë”, Serbia nuk do të njohë as drejtpërdrejt e as indirekt pavarësinë e Kosovës dhe as nuk do të heqë dorë nga lufta legjitime për interesa shtetërore dhe kombëtare dhe nga lufta për të respektuar të drejtën ndërkombëtare.

Ai paralajmëroi se rreziku në Kosovë është “i afërt, objektiv dhe serioz”, dhe se Serbia në asnjë mënyrë “nuk ka marrë pjesë në gjenerimin e krizës, por ka qenë gjithmonë për dialog”.

Vuçiç theksoi se politika e Serbisë në lidhje me Kosovën udhëhiqet “mes dëshirës dhe mundësisë”, me faktin se “populli ka dëshira maksimaliste, ndërsa mundësitë tona janë të pakta”.

Vuçiç paralajmëroi se “nëse ngecim në të kaluarën” lufta për një të ardhme më të mirë për Serbinë do të mbetet e paarritshme.

Prandaj ai kërkoi nga qytetarët e Serbisë që të jenë “racionalë dhe realistë, të dinë se çka është e mundur”.

Vuçiç vlerësoi se politika reale “nuk mund të mbështetet në fantazmagori”, duke shtuar se “duhet t’i përshtatim mitet tona, duke kuptuar se nuk do të mund të mbijetonim me këto mite deri më sot”.

Presidenti serb theksoi se në Kosovë duhet gjetur jetë edhe për serbët edhe për shqiptarët dhe se është e rëndësishme të ofrohet ajo që është realisht e mundur në politikë.

“Gjithçka tjetër është humbje, t’i lëmë ëndrrat që nuk do të mund t’i arrijmë kurrë. Asgjë nuk mund të fitohet nga lajkatimi i popullit”, tha Vuçiç.

Ai po ashtu theksoi se Serbia është e ekspozuar ndaj sfidave të mëdha të sigurisë për shkak të lëvizjeve të Prishtinës dhe shtoi se prania e forcave speciale të policisë së Prishtinës në veri të Kosovës është gjithnjë e më e pranishme.

Ai theksoi se, pavarësisht të gjithave, Serbia “vazhdimisht është e përkushtuar ndaj dialogut, e vetëdijshme se zgjidhja paqësore e problemeve është e vetmja rrugë e arsyeshme”.

Më tej shtoi se nuk e di se si do të përfundojë e gjithë kjo, por se do të bëjë të pamundurën për të pranuar sa më shumë propozime kompromisi dhe për të ruajtur paqen me shqiptarët.

Ai tha se tani nuk varet gjithçka vetëm nga Serbia, sepse shqiptarët po bëjnë “gjithçka kundër, nga operacionet hibride, blerja e mediave, deri te vendimet ndaj serbëve”.

Shkaku thelbësor i krizës në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përfundoi ai, rrjedh nga fakti se Perëndimi nuk dëshiron të respektojë Kartën e OKB-së dhe rezolutën 1244 në rastin e Serbisë dhe as nuk janë të interesuar të respektojnë marrëveshjet e arritura në dialog.

“Bisedimet po zhvillohen nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe ne jemi në rrugën evropiane. Megjithatë, duhet të keni parasysh se shtetet më të fuqishme të BE-së e kanë njohur Kosovën, ashtu si edhe Amerika. Ata e pranojnë shtetësinë e Kosovës dhe ata gjithmonë do të qëndrojnë pas shqiptarëve. Nuk dua që të keni iluzione për këtë. Nuk ka asnjë politikë që mund ta ndryshojë këtë”, tha Vuçiç.

Ai tha se nuk do të jetë e mundur të arrihet ndonjë marrëveshje me lidershipin aktual në Prishtinë dhe se presioni i bashkësisë ndërkombëtare do të rritet, “sepse është shumë më e rëndësishme për ta të ecin drejt një njohjeje joformale por substanciale të Kosovës sesa kompromisi”.