Vrasja e gruas shtatzënë, Osmani: Kjo valë kriminale ndaj grave duhet të marrë fund

Vrasja e gruas shtatzënë, Osmani: Kjo valë kriminale ndaj grave duhet të marrë fund

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë, ku një grua shtatzënë u vra para Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani u shpreh se vala kriminale ndaj grave duhet të marrë fund.
Sipas saj, për autorët të cilët kryejnë krime të tilla, përgjigja e merituar është rendi, ligji e dënimi maksimal.
“Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë! Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime.

Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë. Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal. Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!”, shkruan ndër të tjera Osmani në Facebok.