Vonesat “histerike” të dogmave popullsitë

Vonesat “histerike” të dogmave popullsitë

Hapja e negociatave shënon një moment vendimtar për Maqedoninë e Veriut në rrugën e pakthyeshme të integrimit europian. Me hapjen e negociatave, realisht, fillon një transponim tjetër institucional dhe shtetëror që i përgjigjet idesë së vlerave dhe standardeve europiane. Gjithë kapitujt që do të hapen, bashkë me procesin paraprak të screening-ut, nënkupton vendosjen dhe strukturimin e një paradigme të re të funksionimit të shtetit në përputhje me konceptin e funksionimit të shteteve të BE-së.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Maqedonia e Veriut është shtet i vonesave, shtet i politikave anakronike, të cilat gati për tri dekada kanë ushqyer narracione dhe ndjeshmëri folklorike në raport me idenë e integrimeve europiane, por edhe në raport me realitetet e brendshme politike dhe identitare. Pikërisht këto narracione folklorike, të cilat janë stimuluar varësisht se cila parti ka qenë në opozitë, kanë bërë që Maqedonia e Veriut të humbë kohë në procesin e integrimeve. Siç dihet, Maqedonia e Veriut e ka marrë statusin e vendit kandidat para shtatëmbëdhjetë viteve, ndërkohë që gjithnjë kanë ekzistuar oportunitete për zgjidhje të problemeve dhe për përshpejtim të procesit integrues. Por, një gjë e tillë fatkeqësisht nuk është bërë, ndërkohë që elitat politike kanë kalkuluar me dogma të deplasuara që u kanë kushtuar shtrenjtë të gjithë qytetarëve.

Kthimi ideologjik në antikitet, nëpërmjet politikave të promovuara nga ish kryeministri Gruevski, pamundësoi për më tepër se një dekadë të zgjidhet problemi me emrin, i cili i siguronte vendit anëtarësim në NATO dhe hapte rrugën për çeljen e negociatave me BE-në. U deshën shumë lëvizje politike, një angazhim i fuqishëm ndërkombëtar, por edhe një impenjim shumë i madh i aktorëve të tjerë progresistë shoqërorë, që Maqedonia e Veriut të dalë nga ajo humnerë ideologjike, nga ajo dogmë populiste tërësisht e pabazuar, që e mbante peng vendin në klishe identitare dhe madhështi të rreme. Në gjithë këtë situatë faktori politik shqiptar ka luajtur një rol konstruktiv, duke vendosur në rend të parë pozicionin gjeostrategjik të Maqedonisë së Veriut dhe duke kultivuar një bashkëpunim racional me bashkësinë ndërkombëtare në drejtim të zgjidhjes së problemit me emrin dhe zgjidhjes së kontestit me Bullgarinë fqinje.

Shqiptarët e Maqedonisë se Veriut gjithnjë kanë pasur një shqise të jashtëzakonshme kolektive pikërisht për këto momente orientimi historik, që është në përputhje me aspiratën e tyre historike për të qenë pjesë e NATO-s dhe familjes së madhe europiane. Ky sentiment i shtresuar historik, pavarësisht nga turbulencat politike, ka diktuar një vizion konstant kolektiv, që në një farë mënyrë ka qenë edhe promotor i idesë europiane përkundër ideologjive dhe dogmave të krijuara nga partitë maqedonase, të cilat gjithnjë e kanë stimuluar mosbesimin dhe refuzimin në emër të një patriotizmi të deplasuar.

Në momente të rëndësishme historike shqiptarët e Maqedonisë së Veriut gjithnjë kanë ditur të rreshtohen në anën e gjakimit historik të tyre, në anën e vlerave properëndimore. Gjatë tërë kohës, në këto momente dramatike, ka funksionuar kodi europian shqiptar, që i ka dhënë impulse politikës, por edhe gjithë suazës dhe dinamikave institucionale në Maqedoninë e Veriut. Ky është një kod përkatësie europiane, një kod i lashtë, që në fakt mbruhet në trajektoren historike të shqiptarëve përgjatë shekujve si kredo kombëtare dhe si substancë civilizuese.

Të njëjtin rol racional, të diktuar nga ky kod kulturor europian, shqiptarët e kanë manifestuar edhe gjatë kontestit të fundit me Bullgarinë fqinje. Në këtë funksion kanë qenë edhe partitë politike shqiptare, të cilat kanë shfaqur një mirëkuptim racional ndaj problemeve identitare të maqedonasve, por në të njëjtën kohë duke i dhënë impulse zgjidhjes dhe orientimit europian në gjithë këtë situatë të përcjellë me shumë të panjohura.

Maqedonia e Veriut edhe njëherë ka kaluar një moment kthese dramatike me propozimin francez, i cili ia hapi rrugën vendit për çeljen e negociatave me BE-në. Forca destruktive, të udhëhequra fatkeqësisht nga partitë opozitare maqedonase, kanë krijuar një atmosferë histerike politike, brenda së cilës si gjithmonë gjithë mllefi është lëshuar mbi shqiptarët. Kemi qenë dëshmitarë të një gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve, sharje dhe ofendime, të stimuluara nga mendje të apasievizuara bizantine, që në emër të mbrojtjes së identitetit maqedonas kanë atakuar shqiptarët si kolektivitet. Si zakonisht, këto forca anakronike fajtorin e shohin te shqiptarët dhe gjithë kjo të bën të kuptosh se ata para se të kenë probleme me të tjerët, gjithë histerinë e superioritetit të fshehur e drejtojnë kundër shqiptarëve.

Sidoqoftë, propozimi francez u miratua nga parlamenti, ndërkohë që Maqedonia e Veriut ka hapur negociatat me BE-në në dy faza, ashtu siç është përcaktuar me këtë propozim dhe që nënkupton hapjen e kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në të. Sigurisht, ky nuk është fundi për dogmat ideologjike. Përkundrazi, me gjasë ato do të vazhdojnë të jeni aty me narracionet e tyre, me gjithë atë diskurs antieuropian dhe acarues në të njëjtën kohë. Në fakt, kundërvënia që krijojnë këta faktorë politikë më tepër ka karakterin e luftës për pushtet, përjashto këtu ca forca minore, gjoja leftiste, që janë të humbura në kohë dhe hapësirë.

Pikërisht në këtë peizazh të shfytyruar antieuropian, me shumë delikatesë, janë vendosur edhe aktorë të shoqërisë civile, të cilat me vite të tëra kanë vjelë fonde pikërisht nga BE-ja dhe në emër të vizionit europian. Nëpërmjet një pozicionimi, gjoja për ta mbrojtur identitetin maqedonas, ato kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë me ide të deplasuara politike, vazhdojnë të diktojnë diskurse që mbarsen nga hije prapaskenash aktorësh politikë, që me çdo kusht nuk dëshirojnë që Maqedonia e Veriut të shkëputet nga “elitizimi” i tyre i kriminalizuar, që vjen si linjë që nga fillimet e demokracisë, që nga koha e privatizimeve kriminale.

Hapja e negociatave shënon një moment vendimtar për Maqedoninë e Veriut në rrugën e pakthyeshme të integrimit europian. Me hapjen e negociatave, realisht, fillon një transponim tjetër institucional dhe shtetëror që i përgjigjet idesë së vlerave dhe standardeve europiane. Gjithë kapitujt që do të hapen, bashkë me procesin paraprak të screening-ut, nënkupton vendosjen dhe strukturimin e një paradigme të re të funksionimit të shtetit në përputhje me konceptin e funksionimit të shteteve të BE-së. Sigurisht, ky është një moment shprese dhe shndërrimi për gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe një mundësi tjetër për të kultivar dhe përbrendësuar në rrugë e sipër standardet dhe vizionin europian. Pikërisht në këtë rrugëtim, shqiptarët, partitë politike shqiptare, duhet që me argumente, tashmë europiane, të afishojnë barazinë e tyre të plotë në kushtetutë me emër dhe mbiemër, pa hezitimet e deritashme. Shqiptarët janë faktor vendimtar në shtet dhe kjo duhet të kuptimësohet edhe në tërësinë institucionale të Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut është shtet multietnik dhe në asnjë rast nuk mund të luajë me teori dhe praktika të tjera të njëanshme, që mbeten tërësisht antieropiane.

Sigurisht, ky synim do të përballet gjithnjë me dogma ideologjike, që në emër të kundërvënieve tjera, në fakt kërkojnë që t’ua venitin shqiptarëve pikërisht këtë aspiratë historike dhe politike, gjegjësisht ta atrofojnë idenë për barabarësi të plotë në shtetin e vonuar të Maqedonisë së Veriut, në shtetin e dogmave folklorike dhe ideologjive agresive, që vijnë si ndikime nga vende tjera, siç është Rusia.

Maqedonia e Veriut, detyrimisht, duhet ta kompensojë këtë vonesë, që është përthithur nga ideologji të deplasuara që e kuptojnë shtetin njëanshmërisht, vetëm si të një etnie, në këtë rast të maqedonasve, ndërkohë që shqiptarët i konsiderojnë si të parëndësishëm, gjithnjë duke prodhuar fobi ideologjike kundër aspiratës së tyre për barabarësi të plotë në shtet. Bashkë me hapjen e negociatave, po hapet edhe një momentum i ri, një paradigmë e re europaine, që e njeh multietnicitetin, multikulturalitetin dhe diversitetin gjuhësor. Në Maqedoninë e Veriut duhet të hapet debati mbi këto realitete dhe përfshirjen e tyre në një shtet funksional multikultror. Asnjë justifikim tashmë nuk mund të qëndrojë përpara definimeve absurde dhe poshtëruese për shqiptarët në kushtetutë. Shqiptarët, detyrimisht, duhet të kërkojnë përfshirje me emër dhe mbiemër në kushtetutë në procesin që kemi përpara, që në fakt mbetet një vlerë dhe koncept tërësisht europian.