Volkswageni do t’ua paguajë 227 milionë euro mbi 90 mijë shoferëve në Britani

Volkswageni do t’ua paguajë 227 milionë euro mbi 90 mijë shoferëve në Britani

Volkswageni do të paguajë mbi 227 milionë euro për më shumë se 90,000 shoferë në Angli dhe Uells për shkak të një pretendimi të Gjykatës së Lartë mbi instalimin e pajisjeve mashtruese të emetimeve të gazit në automjete.

Prodhuesi gjerman i veturave u kërkoi sërish falje klientëve dhe tha se po punon për të rindërtuar besimin, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Skandali “dieselgate” shpërtheu në vitin 2015 dhe ka bërë që VW-ja të përballet me procese gjyqësore në disa vende.

Grupi tashmë ka paguar më shumë se 30 miliardë euro në mbarë botën, përfshirë gjobat, kompensimet, zgjidhjet civile dhe skemat e rikthimit.
Përdorimi i “pajisjeve të mposhtjes” nënkuptonte që veturat e Volkswagenit ishin të certifikuara konform standardeve të ndotjes së BE-së, kurse në realitet ato lëshonin deri në 40 herë më shumë sesa sasia e lejuar dioksidit të azotit.

Dioksidi i azotit është një ndotës, i cili është i lidhur me sëmundjet e frymëmarrjes dhe vdekjen e parakohshme.

Volkswageni pranoi se 11 milionë vetura në mbarë botën, përfshirë pothuajse 1.2 milionë në Britani, u prekën nga ky skandal.

Rreth 91,000 automobilistë në Angli dhe Uells, të përfaqësuar nga disa firma ligjore, morën masa kundër VW-së si dhe filialeve të saj Audi, Seat dhe Skoda.

Ndër të tjera ata pretenduan se ishin mashtruar nga VW-ja në lidhje me vlerësimet e qëndrueshmërisë së veturave të tyre dhe në shumë raste kjo ndikoi në vlerën e automjeteve të tyre. /Kohanet