VMRO: Kryeministri Kovaçevski iku nga ushtria gjatë luftës së vitit 2001!?

VMRO: Kryeministri Kovaçevski iku nga ushtria gjatë luftës së vitit 2001!?

VMRO-ja po e akuzon kryeministrin Dimitar Kovaçevski se është dezertor nga Armata e Republikës së Maqedonisë.

“Sipas informacioneve që na mbërrijnë, kryeministri Kovaçevski me vetëdije e ka shmangur shërbimin ushtarak, pikërisht në periudhën e konfliktit ushtarak në vitin 2001, gjegjësisht nuk i është përgjigjur thirrjes së atdheut kur i është kërkuar dhe kur ka pasur nevojë për të më së shumti”, ka thënë Dragan Kovaçki, deputet i VMRO-së.

“Ashtu si të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë që në atë kohë shërbenin në radhët e ARM-së, edhe kryeministri i tanishëm jolegjitim është dashur të paraqitet në radhët ushtarake.

Por po e përsëris, sipas informacioneve që kemi, dezertori Kovaçevski ME DIJE e ka shmangur shërbimin ushtarak në ARM. Arsyeja pse ai dezertoi është se ai është, citim, i paaftë përgjithmonë”, tha Kovaçki.

Sipas tij, Kovaçevski, i cili tani është kryeministër dhe i gëzon të gjitha të mirat e lirisë dhe demokracisë, të cilat i ka sepse vdiqën njerëzit për atë liri dhe demokraci, ndërsa ai iki nga ushtria, nuk u paraqit në shërbimin ushtarak dhe nuk u regjistrua në 2001, edhe pse u thirr.

“Kovaçevski është një dezertor që nuk e meriton të udhëheqë vendin”, tha Kovaçki. /SHENJA/