VMRO-ja zotohet se do të bëjë gjithçka kundër Marrëveshjes së Prespës

VMRO-ja e ka nisur ditën me një komunikatë kundër miratimit të mbrëmshëm të ndryshimeve kushtetuese që ndërlidhen me marrëveshjen për emrin me Greqinë. Partia opozitare, e cila është zëri i vetëm kundërshtues, vlerëson se LSDM-ja ka realizuar ndryshime të paligjshme dhe të dhunshme të emrit kushtetues.

“81 deputetë mbrëmë sollën vendimin e turpshëm dhe të paligjshëm për të mohuar vullnetin e popullit maqedonas shprehur në referendumin e 30 shtatorit, i cili nuk ishte i suksesshëm dhe për këtë arsye askush në shtet nuk ka legjitimitet për të vepruar në kundërshtim me të.

Me Marrëveshjen e Prespës, i janë shkaktuar dëme të mëdha shtetit maqedonas dhe popullit maqedonas. VMRO-DPMNE do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj që kjo padrejtësi të korrigjohet”.

Në deklaratë është ritheksuar kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare. /SHENJA/