VMRO-DPMNE: Qeveria përgatit plan për refuzimin e iniciativës për referendum

VMRO-DPMNE: Qeveria përgatit plan për refuzimin e iniciativës për referendum

Nisma për referendum e parashtruar nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së në Kuvend pritet të marrë epilog gjatë kësaj jave, pasi që të pranohet nga kryetari i shtëpisë ligjvënëse, Talat Xhaferi. Gjatë fundjavës së shkuar nuk munguan “akuzat” rreth nismës për referendum mes LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së.

Nga VMRO-DPMNE opozitare e akuzojnë pushtetin se po përgatitë plan për hedhje poshtë të nismës për referendum, përderisa LSDM në pushtet thekson se nisma për referendum e Hristian Mickoskit është kundër gjuhës maqedonase, i bën dëm identitetit, ndërkaq është e kahëzuar drejtpërdrejtë kundër eurointegrimit të shtetit.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Mickoski, dje në Kavadar deklaroi se nëse janë të sakta shkrimet në të cilat thuhet se pushteti po përgatitet për hedhje poshtë të nismës për referendum për anulim të marrëveshjes me Bullgarinë, të cilën VMRO-DPMNE e parashtroi në Kuvend, “atëherë do të konfirmohet se tek LSDM dhe BDI po sundon frika nga vullneti i popullit”.