` . Vlera e shenjtëruar - TV SHENJA

Vlera e shenjtëruar

Sa herë e vizitoj Prishtinën, më ngjallen kujtimet dhe ankthet e moçme. Më duket disi e pabesueshme ajo që ka ndodhur falë atyre që dhanë gjithçka ose shumëçka për këtë ditë. Nëse sot ecim lirshëm nëpër Kosovë, kjo ka ndodhur për shkak të lëvizjeve politike dhe vlerës së shenjtëruar.

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Brezat që e kanë përjetuar egërsinë e regjimit serb; që janë përballur me egërsinë e policëve, hetuesve, gjykatësve; që janë gulçuar nga gazi lotsjellës; që i kanë përjetuar tmerret e burgut, e konsiderojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si vlerë të shenjtëruar. E tillë duhet të jetë edhe për brezin e ri, që sot e ka mundësinë t’i shijojë më shumë lojërat e lirisë.

Luftërat, si motor i historisë, janë të tmerrshme, sepse ushqehen me jetë njerëzish. Çdo jetë njerëzore është e papërsëritshme. Çdo humbje e jetës njerëzore detyrimisht krijon një dramë familjare. Ata që e kanë përjetuar për së afërmi terrorin serb e dinë se nën një regjim të egër, antinjerëzor, ku polici vriste e rrihte për qejf, nuk kishte zgjidhje tjetër (që edhe u provuan) përpos kundërvënies me mjetet e vdekjes.

Jam dëshmitar i kohës së njërit prej regjimeve më mizorë në historinë europiane. Si brucosh, pothuajse ende fëmijë, për herë të parë në jetë isha mes demonstruesve, përballë policëve që na drejtonin tytat. Për herë të parë në jetë pashë njerëzit si goditeshin me shkopinj gome, topa uji apo me gaz lotsjellës. Për herë të parë në jetë dëgjova krisma armësh. Për herë të parë në jetë pashë njerëz të helmuar. Për herë të parë, në kushte të jashtëzakonshme, jeta na u bë e zakonshme, falë studentëve më të vjetër, që ishin mësuar me kësi ngjarjesh, madje, bënin humor me ne të rinjtë që frika na i kishte mpirë gjymtyrët. Këto nuk janë vetëm kujtime, por edhe trauma.

E di, gjithashtu, se si frymon jeta nën orë policore. E njoh ndjenjën e ngujimit në banesë gjatë ndalimqarkullimit. E di si duket një qytet ku asgjë nuk pipëtin dhe çdo dalje jashtë mund të paguhet me kokë. Gjatë orës policore ishte vetëm poeti dhe bohemi Mirko Gashi që ecte lirshëm. Jetonte nën një tjetër “pushtet”: atë të poezisë. I bënte hile robërisë. Nuk donte t’ia dinte për policët, të cilët, mbase, e pandehnin si të çmendur, pikërisht njeriun më të kthjellët në kohë terrori. Poetët si ai e mbanin gjallë frymën e lirisë. Na jepnin shpresë. E si mund t’i harrojmë ata?

Vite më vonë provova edhe (mbi)jetesën në zonë konflikti; në botën që merr pamjen e hekurit dhe ndryshkut; ku krismat dhe lajmet e këqija bëhen të zakonshme. Përjetova jetën në bodrum, mes fëmijëve të frikësuar. Madje, siç thotë një poet, në kësi rrethanash heshtja bëhet më e frikshme, sepse fillon të mendosh se çfarë është duke u përgatitur…

Si pjesëtar i brezit të udhëkryqit nuk mund të flas menjëherë pa menduar gjatë për ngjarjet dhe protagonistët e kohës. E çmoj kontributin e lëvizjes paqësore, e cila, nën kushte terrori shtetëror, arriti ta ndërkombëtarizonte një kauzë dhe ta organizonte jetën institucionale, aq sa mundej. Ashtu sikurse e çmoj edhe kontributin e vlerës së shenjtëruar. Janë vlera që nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por e plotësojnë, më saktë, e kompletojnë projektin për liri.

Rrugët deri te liria mund të jenë të ndryshme…

Sa herë e vizitoj Prishtinën, më ngjallen kujtimet dhe ankthet e moçme. Më duket disi e pabesueshme ajo që ka ndodhur falë atyre që dhanë gjithçka ose shumëçka për këtë ditë. Nëse sot ecim lirshëm nëpër Kosovë, kjo ka ndodhur për shkak të lëvizjeve politike dhe vlerës së shenjtëruar. Këtë vlerë të shenjtëruar duhet ta ruajnë të gjithë, veçanërisht pjesëtarët e saj, shumë prej të cilëve sot janë pjesë e skenës politike dhe përkundër meritave që kanë për pavarësinë e Kosovës, shpesh e ngatërruan vlerën e shenjtëruar me zënkat meskine politike. Tjetër janë partitë e sotme politike dhe krejt tjetër është vlera e shenjtëruar. Partitë politike vijnë dhe shkojnë. Ka pasur parti që janë shuar. Vlera e shenjtëruar do të mbetet përherë. Ajo është pjesë e kujtesës dhe historisë sonë. Është fryma që na shpëtoi nga mortja. Pjesë e kësaj vlere të shenjtëruar janë gjithë ata që punuan me përkushtim për ngritjen kulturore të shqiptarëve. Janë mijëra të burgosur. Janë mijëra civilë të vrarë. Janë mijëra persona të pagjetur. Janë të varrosurit në varrin kolektiv në Batajnicë e gjetkë. Pjesë e kësaj vlere të shenjtëruar është i riu me shikim të ngrirë,i vrarë në moshën kur bashkëmoshatarët e tij në vende të lira shijonin kënaqësitë rinore. Është foshnja që në gurin e varrit e ka të shënuar të njëjtin vit të lindjes dhe vdekjes. Është dhimbja e prindit për fëmijët e humbur. Është dhimbja e nënës që kërkon një varr ku mund t’i qajë të dashurit e pagjetur. Është burri apo prindi i pafuqishëm para gruas apo vajzës që çnderohet nga bisha. Është refugjati që ka humbur emrin dhe është bërë numër. Është rokeri i vrarë një ditë para se të çlirohej Kosova. Është njeriu i përmalluar në ekzil, të cilin e mban gjallë shpresa për t’u kthyer në atdhe.

Vlera e shenjtëruar është si një vepër artistike, që fiton status publik dhe bëhet e të gjithëve.

Kjo vlerë e shenjtëruar ruhet aty ku nuk mund të përbaltet: në shpirt. Veçanërisht duhet ta ruajnë pjesëtarët e brezit të udhëkryqit, që ia kishin uzurpuar edhe parqet e trotuaret; që ishte i lirë së brendshmi dhe i robëruar së jashtmi; që rronte me shpresë se një ditë do ta shihte fytyrën e vërtetë të lirisë…

Duke e shpaluar këtë përvojë personale, që është përvojë e shumë njerëzve, nuk dua të hiqem si atdhetar i madh apo të barazohem me ata që kanë dhënë kontribut të veçantë për pavarësinë e Kosovës. Nuk mund t’ia shtojmë vetes vlerat që nuk i kemi. Mund t’i shtojmë vlerë vetes duke pranuar vlerat e të tjerëve. Kjo vlerë e ka emrin mirënjohje. Unë shkruaj për kohën e terrorit, sepse për mua nuk është histori, por kujtesë. Nuk dua të harrohet ajo kohë, sepse duke e harruar lejojmë të abuzohet me lirinë.

Kush do ta kishte besuar se do të vinte koha kur bashkëpunëtorët e Millosheviqit, Sheshelit, Karaxhiqit, Mlladiqit, Arkanit, e sa e sa bishave të tjera, do të guxonin ta akuzonin viktimën për krime lufte? Kush do ta kishte besuar se radikali i dikurshëm, Aleksandar Vuçiq, që fotografohej para një veture ku dallohej kafka e njeriut, që thoshte në parlament se për një serb do të vrisnin 100 boshnjakë, ashtu sikurse kishin vepruar nazistët, do të trajtohej si politikan konstruktiv?

Mjerisht edhe kjo ndodhi, sepse harruam atë që kishte ndodhur gjatë luftës së Kosovës dhe para saj. Grykësia na verboi. Harruam se “vdekja është mjeshtre nga Serbia”; se elitat serbe janë mjeshtre të propagandës dhe të krijimit të ndjenjës së viktimizimit. Kjo propagandë ka zgjatur jo me vite e dhjetëvjeçarë, por më shumë se sa një shekull. Pjesë e kësaj propagande kanë qenë politikanët, diplomatët, ushtarakët, shkrimtarët, historianët, klerikët, mjekët ose dhaskalët serbë.

Derisa harruam se liria është e rëndë, se ajo kërkon përgjegjësi të përhershme dhe jo përgjumje, elitat mizore serbe botuan qindra libra me gënjeshtra dhe, në masë të madhe, ia arritën ta ndryshonin perceptimin që bota e kishte për ta.