` . Vizita e Ciprasit nesër do ta "bllokojë" Shkupin - TV-SHENJA

Vizita e Ciprasit nesër do ta “bllokojë” Shkupin

Për shkak të vizitës zyrtare të kryeministrit të Greqisë, Aleksis Cipras, në Maqedoninë e Veriut, nesër nga ora 09:30 deri në orën 20 do të realizohet regjim i posaçëm i lëvizjes në komunikacion në qytetin e Shkupit.

MPB-ja u bëri apel të gjithë pjesmarrësve në komunikacion t’i respektojnë drejtimet nga zyrtarët policor dhe të respektojnë rregullativën e komunikacionit për nesër.

Kryeministri Aleksis Cipras do ta kryesojë delegacionin grek, të cilët të martën më 2 prill do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Në krye të agjendës së vizitës së parë të një kryeministri grek në Maqedoninë e Veriut do të jetë takimi mes Ciprasit dhe homologut të tij Zoran Zaev. Takime bilaterale me kolegët e tyre do të kenë edhe ministrat grek të cilët do ta shoqërojnë Ciprasin. Pas takimeve është paraparë mbledhje e Këshillit për bashkëpunim midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, pas të cilës do të pasojë një konferencë e përbashkët për shtyp.