Viti 2019, përplot me procese gjyqësore të PSP-së (Video)

Viti 2019 fillon me një vrull të proceseve gjyqësore të udhëhequra nga Prokuroria Speciale. Pas festave të fundvitit, PSP nisë punën me kalendarin përplot gjykime, dhe vetëm gjatë javës së parë do të organizohen pesë seanca për rastet “Tenderët”, “TNT”, “Transportuesi”, “Monstra” dhe “Dhuna në Komunën Qendër”.

Seanca e parë për këtë javë është e rezervuar për rastin “Tenderët” në të cilën e akuzuara kryesore është ish-ministrja e Kulturës Elizabeta Kançevska Milevska. Ajo akuzohet për tenderin për punimet ndërtimore shtesë në Muzeun e Luftës së Maqedonisë nga projekti “Shkupi 2014”, dhe për këtë gjë është paraparë marrja në pyetje e tre dëshmitarëve pasi procedura është në fazën e dëshmive.

Të mërkurën është paraparë seanca për lëndën “TNT”,  që po ashtu është në fazën e dëshmive për rrënimin e paligjshëm të objektit “Kosmos” të biznesmenit Fiat Sanovskit. Mes të akuzuarve në rastin janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili është në arrati në Hungari, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski dhe ish-kryetari i Komunës së Gazi Babës Toni Trajkovski, i cili thuhet ta ketë nxitur inspektoren Elizabeta Najdovska që të shkojë në terren dhe të konstatojë dalje nga korrniza e lejes për ndërtim, në mënyrë që të kenë bazament për ta rrënuar objektin.

Të enjten do vazhdojë gjykimi edhe për të akuzuarit në rastin “Transportuesi” i cili tashmë disa herë me radhë ka patur disa anulime. Rasti “Transportuesi” ka të bëjë për keqpërdorimin e detyrës zyrtare lidhur me organizimin për transportin e nxënësve në Manastir për çfarë ndiqen ish-kryetari i Manastirit, Vladimir Talevski dhe 20 të tjerë.

Por, do të vazhdojë edhe gjykimi për rastin “Monstra”. Herën e kaluar, në këtë proces dhanë deklarata ekspertët e mjekësisë ligjore dhe balistikës, që treguan se çfarë plagësh kishin pasur djemtë e ndjerë dhe nga çfarë armësh ishin vrarë.

Të premten është caktuar seanca gjyqësore për rastin “Dhuna në Komunën Qendër”, në të cilën janë të akuzuar 14 persona, mes të cilëve edhe ish-kryeministri Nikolla Gruesvki, ish-ministri i Transportit Mile Janakieski dhe deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova.

Мë tej gjatë muajit do të ketë seancë edhe për rastin “Titanik3 ” me të akuzuar Ejup Halimin dhe Ismet Gurrin, por edhe për rastin “Titanik 2” me të akuzuar kryesor Menduh Thaçin dhe Sasho Mijallkovin, do të ketë po ashtu seancë gjyqësore. Janë paraparë edhe disa seanca për rastin “Target – Fortesa” për përgjimin masiv të paligjshëm, por edhe për rastin “Trajektorja”.

Për nesër është paraparë të mbahet seancë gjyqësore edhe për 27 prillin, por meqë ende ekzistojnë disa ankesa për amnisti, për të cilat nuk ka vendim nga Gjykata e Apelit, me gjasë, gjykimi i nesërm do të shtyhet për tjetër ditë.  Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/