` . (VIDEO)Bujqit kërcënojnë: Nëse nuk na paguhen dëmet do t’i bllokojmë rrugët - TV SHENJA

(VIDEO)Bujqit kërcënojnë: Nëse nuk na paguhen dëmet do t’i bllokojmë rrugët

Bujqit nga Komuna e Gazi Babës dhe Haraçinës sërish i kanë dërguar kërkesë qeverisë, që t’ua kompensojë  dëmet e vërshimeve që ndodhën më 6 maj të vitit 2018, ndërsa pjesërisht edhe për vitin 2016. Adnan Ajrullahu, kryetar i këshillit të bujqve nga këto dy komuna, u ankua ndaj kryeministrit Zoran Zaev dhe zëvendësit të tij,  Fatmir Bytyqit, pasi ata që nga kërkesa e fundit dërguar tre muaj më par, përsëri  nuk po i marrin seriozisht kërkesat e tyre.  Ai tha se Zaev tërë kohën deklarohet se është kryeministër i gjithë qytetarëve, por të njëjtën nuk po e praktikon.

Adnan Ajrullahu, Kryetar i Këshillit të Bujqve nga Komuna e Haraçinës dhe Gazi Babës

“ Mospërfillja për takim nga ana Kryeministrit  të Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev si dhe zëvendës kryeministrit Fatmir Bytyqi, dhe pse kemi pasur kërkesa me shkrim ku kërkesa e fundit për takim ka qenë me datë 02 dhjetor 2020, dhe sot e asaj ditë ende s’kemi konfirmim për takim kjo na irriton edhe më shumë dhe bëjmë pyetje se qeveria a është për qytetarët apo qytetarët për qeverinë”

Pasi nuk kanë arritur të realizojnë takim, kërkesat e tyre i kumtuan publikisht përmes konferencës së sotshme për media, për të cilët vendosën edhe ultimatum.

Adnan Ajrullahu, Kryetar i Këshillit të Bujqve nga Komuna e Haraçinës dhe Gazi Babës

“Kërkojmë nga Qeveria t’i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët gjegjësisht bujqit prodhues nga Komunat e Gazi Babës dhe Haraçinës me bujqit tjerë në shtet. Kërkojmë nga Qeveria menjëherë të konvokojë mbledhje dhe të sjellë vendim për pagesë të bujqve nga Komuna e Gazi Babës dhe Haraçinës, dhe të kompensojë  dëmeve e shkaktuara nga stuhia, shiu i madh, breshëri dhe era e fortë nga viti 2018”

Ata gjithashtu kërkuan që egzekutivi të paguaj në tërësi kompensimin e bujqve nga përmbytjet katastrofale të vitit 2016 dhe 2017. Nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen në afat sa më të shkurtër, bujqit thanë se do të bëjnë protesta dhe do të bllokojnë rrugët në disa lokacione të kryeqytetit.

Linda Ebibi /SHENJA/