(VIDEO) Zaev: Rritja e pagës minimale nuk do t’i dëmtojë kompanitë

Rritja e sërishme e pagës minimale nuk do të dëmtojë as punëdhënësit dhe as palët e tjera, është zotuar kryeministri Zoran Zaev, një ditë pas paralajmërimit se këtë vit Qeveria planifikon të rrisë nivelin e pagës së garantuar minimale në vend. Zaev tha se niveli i ri i pagës minimale do të përcaktohet përmes dialogut me sindikatën, punëdhënësit dhe të gjitha palët e tjera të përfshira në këtë proces. Kreu i Qeverisë u arsyetua se rritja e pagës minimale është një domosdoshmëri në shoqëritë solidare dhe të barabarta, ndërsa pranoi edhe mundësinë që Qeveria të vazhdojë edhe në fazën e dytë të mbështesë rritjen e pagës.
Zoran Zaev, kryeministër
“Dje paralajmërova se ne jemi të gatshëm të sjellim vendim, detajet si dijmë, është process që v ijon, kiemi ndërmend të hapim dialog si me sindikatat ashtu edhe me punëdhënësit, ashtu siç e bëmë edhe herën e parë gjatë miratimit të pagës minimale. Ne jemi të bindur se në një shoqëri solidare dhe të drejtë, duhet që shteti të ndërmerr hapa të këtillë dhe gjatë kësaj të mos dëmtohet asnjë nga pjesëmarrësit në procedurë”
Gjatë prezantimit të rezultateve të arritura në vitin e kaluar dhe pritshmëritë për vitin 2019, kryeministri Zoran Zaev, dje për herë të parë paralajmëroi rritje të sërishme të pagës minimale në vend. Edhe dje edhe sot Zaev nuk dha detaje për nivelin e ri të pagës, por tha se është nxitur nga rezultatet që ka dhënë vendimi i parë për caktimin e pagës së garantuar më të ulët në vend. Ai tha se ky vendim kishte ndikuar edhe në rritjen e pagave në përgjithësi në vend, andaj dhe Qeveria ka vlerësuar se duhet vazhduar me këtë masë dhe masa të tjera të cilat do të ndihmojnë në rritjen e pagave në të gjithë sektorët deri në arritjen e pagës mesatare prej 500 euro, të premtuar nga ai dhe partia e tij.
Arben Zeqiri /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=VfsDx1uyCvI