(VIDEO) Zaev, Rama e Vuçiq ftojnë tre vendet skeptike t’i bashkohen “Ballkanit të Hapur”

(VIDEO) Zaev, Rama e Vuçiq ftojnë tre vendet skeptike t’i bashkohen “Ballkanit të Hapur”

Në prag të takimit të radhës për “Ballkanin e Hapur”, i cili mbahet të martën në Shqipëri, tre liderët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë – Zoran Zaev, Edi Rama e Aleksandar Vuçiq i janë drejtuar opinionit ballkanas me një letër të hapur të përbashkët. Zaev, Rama dhe Vuçiq përmes kësaj letre ftojnë edhe 3 vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnen e Hercegovinën që t’i bashkohen kësaj nisme. Ata këmbëngulin se Ballkani i Hapur nuk është zëvendësim për integrimin në Bashkimin Evropian, por një hap i madh drejt integrimit.

Letra e përbashkët
“Ne kemi ndasitë tona, nuk biem dakord për disa çështje politike, por të gjithë e pranojmë se ekonomia dhe katër liritë themelore të BE-së janë mënyra më e mirë për t’i dhënë rajonit tonë shpresë për një paqe afatgjatë. Ballkani i Hapur nuk është një çmim ngushëllues në vend të anëtarësimit në BE, por përkundrazi, një hap i madh drejt tij”.

Më tej në letrën e hapur, Zaev, Rama dhe Vuçiq theksojnë se kjo nismë ofron më shumë stabilitet dhe standard më të lartë jetese, duke lënë prapa krahëve mosmarrëveshjet e së shkuarës.

Letra e përbashkët
“Është koha që të gjithë kombet dhe njerëzit e rajonit të bashkohen për një të ardhme të përbashkët më të mirë. Për një të ardhme që ofron stabilitet, paqe dhe standarde më të larta jetese për të gjithë. Një të ardhme që i tejkalon mosmarrëveshjet e së shkuarës dhe u jep fëmijëve tanë shpresë në vendin ku ata meritojnë të jetojnë”.

Liderët e tre vendeve pjesëmarrëse në “Ballkanin e Hapur” përmes kësaj letre i bëjnë thirrje edhe Bashkimit Evropian që ta mbështesë plotësisht këtë nismë. /SHENJA/