(VIDEO) Zaev kërkon kandidat konsensual për president, VMRO shpall konkurs

VMRO DPMNE-ja ka zgjedhur një mënyrë të re për të propozuar kandidat për president të shtetit. Në vend se partia të merret vesh përbrenda, dhe të dalë me një emër si propozim për të garuar në zgjedhjet presidenciale, ka vendosur që të hapë një konkurs në të cilin mund të paraqiten të gjithë ata që janë të interesuar ti hyjnë kësaj gare.

VMRO-DPMNE ka publikuar shpallje publike për paraqitje të kandidaturave për president të Maqedonisë.

Nga partia thonë se të gjithë ato kandidatë, të cilët i plotësojnë kushtet për kandidim, i plotësojnë kriteret ligjore, dhe që përkrahin politikat e VMRO-DPMNE-së, duhet që të dorëzojnë letër individuale deri tek selia e partisë, jo më vonë se 31 janari.

Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-së

“Menjëherë pasi të dorëzohen kandidaturat, të gjithë kandidatët që i plotësojnë kushtet, do të kenë të drejtë të barabartë t’i prezantojnë planet dhe programin përpara partisë. Në pajtueshmëri me vendimin e Komitetit Qendror të VMRO-DPMNE-së në konventë do të marrin pjesë dhe do të vendosin 550 delegatë. VMRO DPMNE, me kandidatin e ardhshëm për president, do e mposhtë këtë Qeveri kriminale, dhe ky do të jetë fillimi i fundit të kësaj periudhe të zezë dhe fatkeqësie që po na ndodhë. VMRO dhe qytetarët do ti fitojnë këto zgjedhje”

Votimi për kandidatët do të bëhet në mënyrë të fshehtë. Fitues do të jetë ai që fiton shumicën e votave, që duhet të jenë të paktën, një e treta e delegatëve. Nëse asnjëri kandidat nuk e fiton numrin e nevojshëm të votave, atëherë votimi do të përsëritet. Në votimin e dytë do të marrin pjesë dy kandidatë të cilët kanë marrë më shumë vota në votimin e parë.

Ndërkaq, Kryeministri Zoran Zaev konfirmoi se koalicioni i tij qeverisës, do të dalë me një kandidat konsenzual, i cili do ti përfaqësojë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë. Por, Zaev thotë se nuk është vetëm BDI-ja ajo që do të japë propozime, por të gjithë partnerët në Qeveri.

Zoran Zaev, kryeministër

“Do doja të kemi kandidat konsensual prej të gjithëve. Në këtë mënyrë, do të kemi njeri i cili do të jetë baba i popullit, njeri pas të cilit do të rreshtohemi të gjithë. BDI-ja është vetëm një prej partnerëve tanë në koalicion, ndërsa ne kemi edhe partnerë të tjerë koalicioni, por për neve më të rëndësishëm janë qytetarët. Do të përpiqemi që ta gjejmë më të mirin ose më të mirën. Unë vlerësoj se ky koalicion ka kapacitet për të fituar në zgjedhje, por kjo nuk është një e drejtë e dhënë përgjithmonë. Zgjedhjet presidenciale janë zgjedhje të individëve, prandaj vetë personazhi që do të kandidojë do të jetë vendimtar gjatë vendimit të qytetarëve”

Me 2 ose 3 shkurt të këtij viti do duhet të shpallen zgjedhjet presidenciale që do të mbahen sipas të gjitha gjasave në fund të marsit, ose më së voni në fillim të prillit. Që zgjedhjet të jenë të suksesshme, në rrethin e dytë duhet të dalin rreth 720 mijë votues, ose rreth 40% nga numri i përgjithshëm i votuesve në Listën Zgjedhore. Nëse nuk arrihet cenzusi, ka gjasa që të merret inciativë për Ndryshime Kushtetuese me të cilat, presidenti në të ardhmen do të zgjidhej në në Kuvend.

Në zgjedhjet e parafundit presidenciale në shtet, fitoi Gjorge Ivanov, i cili morri postin e të parit të shtetit në vitin 2009. Pesë vjet më pas, ai fiton përsëri zgjedhjet si kandidat i VMRO DPMNE-së, dhe ky është mandati i tij i fundit.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?v=-cmltqK6iMM